Shefki Hysa | Personal Blog

Vdekje vdekjeve, Rudina Hasa

VDEKJE VDEKJEVE

Nga  Shefki Hysa

Shënime për librin “Mos ma kujto vdekjen” të poetes Rudina Hasa

Poetja e re 18-vjeçare Rudina Sami Hasa me vëllimin e parë poetik “Mos ma kujto vdekjen”, paraqitet te lexuesi me atë vrull ndjenjash që do ta kishte zili cilido krijues. Në tërësi vëllimi i saj i ngjan një klithme kushtruese me tone femërore sa të brishta e këngëzuese aq edhe të thekshme, si klithma e një drenushe, pas kapërcimit të një rreziku tejet vdekjeprurës.

Këlthet një shpirt adoleshent që e do marrëzisht jetën, dhe po marrëzisht urren me tërë fuqinë vajzërore gjithçka që ndjell sadopak vdekjen. Tepër e re Rudina dhe si e tillë tepër e etur për ta jetuar jetën, në të gjitha ngjyrat e gëzuara, në të gjithë spektrin e ylbertë të dashurisë, larg grisë që trashëgon ajo në këtë periudhë kalimtare, prej atij terri ku të zihej fryma. Vdekje vdekjeve! Jo vdekjes natyrale, vdekjeve aksidentale që këpusin mizorisht jetë njerëzore që sapo i kanë kapërcyer pragjet e fëmijërisë.

Vdekje vdekjeve që përgjojnë tinëzisht jetën në çdo hap. Ky është lejtmotiv i poezisë së Rudinës. Mos jua kujtoni vdekjen të rinjve, kujtojuni sukseset që i presin në çdo kthesë të jetës.
I urojmë edhe Rudinës një jetë plot të papritura me funde të lumtur e për më tepër arriftë “Kilimanxharon” e poezisë.

 

 

E thënë troç dhe pikë, Kostaq Myrtaj

E THËNË TROÇ! DHE PIKË!

Nga Shefki Hysa

Individualiteti i krijuesit Kostaq Myrtaj

Për këtë shkrim mora shkas nga krijimtaria e autorëve letrarë me moshë të vogël si Kostaq Myrtaj, me vëllimin poetik “Loti i trëndafilit”, Xhulia Xhekaj, me romanin “Me putrat tona shëtitëm botën”, etj., krijues të rinj, të cilët kanë marrë guximin e trokasin në portën e asaj bote të mrekullueshme që quhet letërsi artistike.

Kam dëgjuar debate të shpeshta midis njerëzve të zakonshëm, jo rrallë edhe midis atyre që e mbajnë veten për intelektualë e për studiues të famshëm të fushave të ndryshme të natyrës njerëzore, ku në thelb shtrohet pyetja ekzistenciale: “Është apo s’është?!… Pas kësaj pyetje natyrshëm ngrihet edhe hipoteza apo hamendja: “Edhe është, edhe s’është?!”…

Ky është dyshimi i përjetshëm i Njeriut naiv për shumë fakte, dukuri dhe fenomene të jetës. Të paditurit, vetëkuptohet, i lejohen dyshimet dhe lajthitjet, por nuk mund t’i falen kurrsesi atij që e pretendon veten si dikushi, pjesë të elitave shoqërore. Nuk mund ta falësh atë që pretendon fronin e të diturit, sepse fjala e tij, duke shkuar paralel me famën që gëzon, është e besueshme për veshët e opinionit shoqëror dhe duke shprehur një përcaktim të pasaktë, dizinformon dhe e keqorienton shoqërinë tonë njerëzore. Dhe dihet se ç’pasoja fatale sjell keqpërdorja dhe keqorientimi. Kujtoni për një çast se ç’pasoja të pariparueshme na la trashëgim ish diktatura komuniste. Një Shqipëri në tranzicion të tejzgjatur që po shkon drejt moçalit të stanjacionit. Dhe pikë! Sidoqoftë edhe naivët, edhe intelektualët bien shpesh në kurthin e ekzistenciales në jetë. Kjo ndodh jo rrallë edhe me krijimtarinë letrare dhe me krijuesit e saj. Diskutohet gjerë e gjatë nëse është apo jo krijimtari letrare një vjershë, një tregim a një libër i një personi që pretendon se ka shkruar diçka dhe mbahet si krijues, poet a prozator, me një fjalë shkrimtar e më the e të thashë…

Të them të vërtetën, dhe e vërteta duhet thënë troç, mua më bëjnë për të qeshur diskutime, debate e replika të tilla naïve që zgjojnë një thashethemnajë e përhapin një tymnajë të madhe, aq sa e errësojnë apo e mitizojnë pa vend një vlerë reale të njeriut që pretendon se ka bërë diçka.

Një shembull. Është qesharake të diskutosh, fjala vjen, se është apo s’është qenie njerëzore, Njeri, një bukuroshe e Sarandës që është martuar me djalin e ëndrrave të saj, ka nusëruar, ka jetuaj jetën plot dashuri dhe më në fund e shohim me trupin e fryrë, pra të mbetur shtatzanë. Edhe më qesharake është të mendosh apo të thuash se e bija e botës është pakëz shtatzanë dhe mban në trup pakëz frut dashurie. O është, o s’është, ore, se na çmendët!… Gjërat thuhen troç. Dhe pikë!

Është apo s’është Njeri?!… Edhe është, edhe s’është?!… Edhe është shtatzanë, edhe s’është?!… Edhe do e lindë fëmijën, edhe s’do e lindë?!… Edhe do lindë i gjallë bebja, edhe do lindë i vdekur?!… Edhe do jetë Njeri fëmija, edhe s’do jetë?!…
O njëra, o tjetra se na çmendët! Flisni troç! Dhe pikë!

A nuk të bëjnë për të qeshur të tilla pandehma?!… A nuk të shtyjnë të deklarosh me të madhe: O është, o s’është! Dhe pikë! Nuk ka, njëherësh, edhe është, edhe s’është! Dhe pikë!
Dhe përkundër naivëve, thua me plot gojën, troç: Bukuroshja e Sarandës është patjetër Njeri, ka mbetur patjetër shtatzanë dhe po rrit në trupin e vet frutin e dashurisë së saj që do të lindë si një qenie njerëzore, do të gëzojë tërë të afërmit dhe do të rritet si një fëmijë i mbarë, një Njeri i mirë më shumë për qytetin buzë detit Jon. Dhe pikë!

Kjo është një alternativë. Dhe pikë!
Ose alternativa tjetër, largqoftë: Nusja bukuroshe nuk mund të mbetet shtatzanë, ose edhe në mbeti do ta lindë fëmijën të vdekur. Dhe pikë!
Dhe po të lindë bebja e vdekur, nuk ka trashëgimtar për fisin e bukuroshes dhe të princit të saj të kaltër. Dhe qoftë larg! Dhe pikë!

Pra, e theksoj, troç, o është, o s’është dhe nuk ka edhe është, edhe s’është! Dhe pikë!
Kjo aksiomë, ky postulat vlen për gjithçka në jetë, vlen edhe për krijimtarinë letrare dhe për krijuesit. Nuk ka rëndësi mosha e tyre. Dhe pikë!

Fjala vjen, Kostaq Myrtaj, me vëllimi poetik “Loti i trëndafilit”, o është, o nuk është poet. Dhe pikë! Nuk ka edhe është, edhe s’është! Nuk ka kurrfarë rëndësie mosha e tij. Le të jetë i vogël, 13 – vjeçar. O është poet, o nuk është! Dhe pikë!
Duhet ta themi troç dhe me zë të lartë nëse është apo nuk është Kostaqi talent dhe poet! Dhe pikë!

Duhet saktësuar qartas nëse krijon Kostaq Myrtaj vlera poetike apo thjesht shkruan, siç bëjnë shumë maniakë grafomanë. Dhe pikë! Tjetër gjë të vargëzosh e të bësh rima, si bejtet, e tjetër të krijosh poezi. Dhe pikë!
Mund të shkruajë e të nxijë letrat kushdo, por janë të paktë ata që kanë dhuntinë të krijojnë. Dhe kjo dhunti është dhuratë e Zotit, prandaj krijuesit, ndryshe nga shkruesit, grafomanët, letërnxirësit, letërshkarravitësit, janë të privilegjuar, kanë shpirt hyjnor. Dhe patjetër që qëndrojnë më afër Krijuesit të tyre, Krijuesit të Gjithësisë, Zotit! Dhe pikë!

Është apo s’është Kostaq Myrtaj krijues?!
E përsëris, troç: Nuk ka pikë rëndësie se është i vogël në moshë dhe shkruan për të vegjëlit e bashkëmoshatarët e tij. Dhe pikë! Dihet se edhe të vegjëlit ushqehen dhe shijojnë të njëjtat vlera si të rriturit. Ata pijnë gjithë qejf qumështin e nënës që është qumësht; pijnë lëngjet e frutave që janë fruta të krijuara prej Zotit dhe që kanë të njëjtën shije edhe për të rriturit, pra për gjithë gjininë njerëzore; hanë çokollatat që janë çokollatë prej kakaoje dhe u shijojnë aq shumë si edhe të rriturve; hanë bukën që është bukë, etj. Dhe pikë!

Dhe ndihen të kënaqur e të lumturuar njëlloj si prindërit e tyre prej ushqimit të zgjedhur e të freskët, dhuratë e Zotit, në këtë botë. Dhe pikë!
Pra, edhe vjershat për të vegjëlit, o janë krijime letrare, poezi, o nuk janë! Dhe pikë! Dhe po qenë krijime, vlerat e tyre patjetër që emocionojnë fëmijët tanë, do të na emocionojnë edhe ne dhe do të na sjellin maksimumin e kënaqësisë shpirtërore, njëlloj si buka që na shuan urinë dhe na krijon një kënaqësi të madhe fizike, pas një lodhjeje të gjatë në një punë të stërmundimshme, njëlloj si çokollata që na shijon aq sa na lëshon goja lëng kur e kujtojmë. Dhe kjo u ndodh gjithë njerëzve njëlloj, padallim moshe… U ndodh fëmijëve dhe prindërve. Për këtë arsye, nuk kanë aq shumë faj ato nëna që pasi kanë gatuar diçka të shijshme, bëjnë sikur ushqejnë fëmijën dhe ushqehen për vete. Besoj se prej një fakti të tillë duhet të ketë buruar edhe ajo shprehja e urtë çame “Ha nana e djalit s’i jep” që përdoret shpesh për të vlerësuar një gatim të rrallë të një amvise mjeshtre. Pra, sjellje e diktuar prej vlerave joshëse, të arrira, të mrekullueshme, të padiskutueshme, shprehja “Ha nana e djalit s’i jep”… Dhe pikë!

Në këtë kuptim, pasi i lexon me vëmendje krijimet e autorit Kostaq Myrtaj, përmbledhur në vëllimin poetik “Loti i trëndafilit”, emocionohesh, ngacmohesh shpirtërisht dhe ndien ato mbresa e kënaqësi të veçanta estetike që të zgjojnë veprat e talenteve të mëdhenj. Dhe teksa humbet një copëherë në atë botë të bukur që ai ka krijuar me fantazinë e tij dhe na e dhuron edhe ne, teksa rend me imagjinatë drejt brigjeve të fëmijërisë tënde plot kureshtje dhe interes për të parë se ç’të përbashkëta e ç’të veçanta ka ajo në krahasim me fëmijët e sotëm, thua me gjithë zemër se je përballë një talenti të rrallë e të vërtetë, se ke në duar krijimtarinë e një shkrimtari të vërtetë. Dhe pikë!

Dhe ky shkrimtar, ky poet, është Kostaq Myrtaj. Dhe pikë!
Atëherë me gjithë fuqinë e shpirtit dhe të zërit ia vlen të thuash: Mirëse erdhe midis artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, o Kostaq Myrtaj! Dhe pikë!
Suksese drejt rrugës që të shpie në thesarin e kryeveprave artistike e letraro-kulturore të kombit shqiptar. Dhe pikë! E thënë troç! Dhe pikë! Dhe pikë! Dhe pikë!

 

 

Eva e mashtruar, Mirela Rapi

EVA E MASHTRUAR

Nga Shefki Hysa

“Engjëll mëkatar” titullohet vëllimi i parë poetik i 18-vjerçares Mirela Rapi, por mund t’i përshtatet bukur dhe sinonimi “Eva e mashtruar”. Çuditërisht të gjithë adoleshentet e kanë nga një brengë, zhgënjimin prej dashurisë së parë. Dashurojnë tek partneri imazhin e mrekullueshëm, që krijon bota e tyre ndjesore dhe kur ndeshin, të shumtën e rasteve, te cilësitë e rëndomta të të dashurit, zhgënjehen dhe ndihen të mashtruara siç u ndie Eva, gruaja e parë në tokë, pasi kafshoi mollën e ndaluar, e joshur prej Djallit.

Zhgënjimi pllakos si një masë errësire mbytëse në shpirtin e tyre, aq sa, herë-herë, duket_e pashpresë dalja prej asaj nate. Shumica e vajzave me kurajë arrijnë të gjejnë, më në fund, dritën e shpëtimit në vetvete dhe atëherë i kthejnë krahët dëshpërimit, rendin në kërkim të dashurisë së vërtetë me përmasa reale. E tillë është dhe heroina e poetes së re Mirela Rapi, një “Engjell mëkatar” apo një “Evë e mashtruar”, që kërkon “Parajsën” e vet në këtë botë mëkatare, qoftë dhe larg në galaktika të reja të fantazisë.

Vetëtimëz loti dhe qeshje, Gjin Progni

VETËTIMËZ LOTI DHE QESHJE

Nga Shefki Hysa

Shënime për librin “Krisja e zemrës” e poetit Gjin Progni

Gjin Progni i përket brezit të poetëve më të rinj shpirti i të cilëve, falë demokracisë, arriti të dalë nga gërmadhat e shpirtave që përçudnoi gjatë 50 vjetëve ferri i diktaturës enveriste. Zhgënjim, dëshpërim, dhimbje dhe pak shpresë, fare pak shpresë – ja ky është sedimenti i tërë asaj gjigandomanie iluzore me lindjet dhe perëndimet e përgjakura, me ngjyrat e ndezura alla socialiste që i servirte propaganda komuniste “njeriut të ri”, krijesës së vet manekine.

Këtë e vëren edhe në vjershat e Gjin Prognit, ndër më të talentuarit midis atyre zërave poetikë që po ndihen. Është dashuria e vetmja ndjenjë, që u jep, herë-herë, tone optimiste vargjeve të tij të mbingarkuara me dramën e kohës. Një dashuri kapriçioze si gjithë dashuritë që zënë fill qysh me trillet e Adamit e Evës, dashuri sa e ëmbël dhe herë-herë gati hyjnore, aq cfilitëse e zemërplasëse. Madje e has në tërë indet e poezisë së vëllimit “Krisja e zemrës” këtë ndjenjë tejet njerëzore aq sa krijohet imazhi që universi poetik i Gjinit nuk është gjë tjetër veç një zemër gjigande që mundohet të ndryjë brenda vetes tërë gjithësinë e në pamundësi zhgënjehet e dëshpërohet e kriset e pikon dhembje e revoltë.

Midis lotëve vetëtin herë-herë dhe e qeshura e çiltër e poetit, humori i të riut që dhe pse zemërplasur kujtohet më në fund se jeta është e gjatë dhe duhet jetuar. E për ta jetuar atë duhet të ecë.
Në këtë ecje sa lodhëse dhe tërheqëse drejt të panjohurave të fatit të nje-riut, i urojmë Gjin Prognit majat e suksesit, pas daljes në dritë të librit të parë “Krisja e zemrës”.

Vetëtimëz loti dhe qeshje, Gjin Progni

VETËTIMËZ LOTI DHE QESHJE

Nga Shefki Hysa

Shënime për librin “Krisja e zemrës” e poetit Gjin Progni

Gjin Progni i përket brezit të poetëve më të rinj shpirti i të cilëve, falë demokracisë, arriti të dalë nga gërmadhat e shpirtave që përçudnoi gjatë 50 vjetëve ferri i diktaturës enveriste. Zhgënjim, dëshpërim, dhimbje dhe pak shpresë, fare pak shpresë – ja ky është sedimenti i tërë asaj gjigandomanie iluzore me lindjet dhe perëndimet e përgjakura, me ngjyrat e ndezura alla socialiste që i servirte propaganda komuniste “njeriut të ri”, krijesës së vet manekine.

Këtë e vëren edhe në vjershat e Gjin Prognit, ndër më të talentuarit midis atyre zërave poetikë që po ndihen. Është dashuria e vetmja ndjenjë, që u jep, herë-herë, tone optimiste vargjeve të tij të mbingarkuara me dramën e kohës. Një dashuri kapriçioze si gjithë dashuritë që zënë fill qysh me trillet e Adamit e Evës, dashuri sa e ëmbël dhe herë-herë gati hyjnore, aq cfilitëse e zemërplasëse. Madje e has në tërë indet e poezisë së vëllimit “Krisja e zemrës” këtë ndjenjë tejet njerëzore aq sa krijohet imazhi që universi poetik i Gjinit nuk është gjë tjetër veç një zemër gjigande që mundohet të ndryjë brenda vetes tërë gjithësinë e në pamundësi zhgënjehet e dëshpërohet e kriset e pikon dhembje e revoltë.

Midis lotëve vetëtin herë-herë dhe e qeshura e çiltër e poetit, humori i të riut që dhe pse zemërplasur kujtohet më në fund se jeta është e gjatë dhe duhet jetuar. E për ta jetuar atë duhet të ecë.
Në këtë ecje sa lodhëse dhe tërheqëse drejt të panjohurave të fatit të nje-riut, i urojmë Gjin Prognit majat e suksesit, pas daljes në dritë të librit të parë “Krisja e zemrës”.

 

 

Kapriçiot e moshës, Etleva Shahini

KAPRIÇIOT E MOSHËS

Nga Shefki Hysa

Shënime për librin “Yjet e ëndrrave” të Etleva Shahinit

Kush nuk e jetoi adoleshencën e nuk i ndjeu kapriçiot e kësaj moshe kaq kritike, kur ndihesh sa fëmijë dhe i burrëruar, sa fluturak dhe i mençur, megjithëse as fëmijë e as i ri e as burrë. Një mot i paqendrueshëm adoleshenca, shi dhe diell, tufan i rrëmbyer dhe frullizë pranverore, acar dhe zheg; një pafundësi të kundërtash që çuditërisht bashkëjetojnë brenda një shpirti. Kupto, po të duash se ç’ligjësi veprojnë në shpirtin adoleshent, ku pranvera dhe dimri dhe dielli dhe bora dhe flladi dhe era e marrë vrullojnë në një llavë që përcakton karakteristikat e kësaj moshe.

E tillë është edhe Etleva Shahini.

Duke qenë njëkohësisht edhe poete, shpirti i saj i demostron edhe më fuqishëm kapriçiot e moshës. E këto kapriçio tejet origjinale janë mishëruar edhe në vargjet e librit të saj të parë “Yjet e ëndrrave”.

Demoni, Shpëtim Roqi

DEMONI

Nga Shefki Hysa

Shënime për librin “Rebel” të Shpëtim Roqit

Pushteti, në të gjitha kohërat, shumë a pak, kërkon bindje gjer në fanatizëm, ushtarë të nënshtruar, radhë shpirtrash të vdekur, nga baza e në majë të piramidës. Pushteti është uniformitet, unison politik. Pushteti vetëm kështu mbijeton. Pushteti i druhet mendimit të lirë, shpirtit të gjallë e rebel.
Pushtetarët i tremben LIRISÊ. Nuk bëhet fjalë për liri absolute, por për liritë njerëzore, për atë frymëmarrje shoqërore që i duhet patjetër njeriut për të qenë NJERI. Për atë hapësirë shpirtërore që synojnë poetë si Shpëtim Roqi. Po mjerisht, janë të paktë shpirtrat pa pranga paragjykimesh, shpirtrat e lirë. Aq të paktë, saqë pushteti në emër të shumicës, guxon t’i anatemojë, t’i gjymtojë, t’i nënshtrojë, t’i skllavërojë; po të mundet edhe t’i asgjësojë…

Sa të rrallë mbeten shpirtrat e lirë. Pikërisht ata shpirtra, imazhin e të cilëve bartin poezitë e Shpëtimit. Rebelë që orë e çast sfidojnë pushtetarët, që orë e çast u rri mbi krye mallkimi i pushtetarëve. Mallkimi i pushtetarëve që shenjojnë me gishtin tregues: “DEMONI”! Ja, “Demoni”! “Përzejeni Demonin!
Dhe turma fanatikësh syverbuar, në kor, përsërisin: “Demoni, Demoni! Përzereni Demonin!”
Paçka se përballë tyre ngrihet Engjëlli Mbrojtës. Paçka se predikon lirinë e tyre, gjallërinë njerëzore…
DEMONI! Në fakt, Demoni, është figurë mitologjike. Megjithatë, pushtetarët e thërrasin sa herë në skenën politike, kur shpallin heretikë kundërshtarët e vet.
Pikërisht ky DEMON këlthet nëpër vargjet e poetit Shpëtim Roqi. Do ta gjeni të shpirtëzuar në poezinë e tij…

Fuqia për të rikrijuar lirinë, Pjetër Arbnori

FUQIA PËR TË RIKRIJUAR LIRINË

Nga Shefki Hysa

Shënime për romancën “Bukuroshja me hijen” e shkrimtarit Pjetër Arbnori

Duhet të jesh patjetër njeri me zemër tejet të ndjeshme, të jesh shkrirntar me të vërtetë i talentuar që të kesh njëherësh durim e fantazi për të endur mjeshtërisht me majën e penës velin farfuritës e idilik të një plazhi veror, i ndryrë përbrenda qelive të një burgu të llahtarshëm si ai i Burrelit. E pabesueshme, megjithatë realitet. Ish i burgosuri politik Pjetër Arbnori, në kushte terrori të egër, nëpër terrin e qelisë të ndriçuar vetëm me dritëzën e syve dhe zjarrin e kujtimeve të rinisë së hershme që s’arrin t’ia përlyejë dhuna fizike e psikike, që s’ia shuan dot uria, rreket jo thjesht për të mbijetuar, por edhe për të mprehur mendimin dhe ndjenjën e për t’i ngjizur pastaj në një art të veçantë. Kjo është romanca “Bukuroshja me hijen”. Fati i saj është një pjesë e fatit të autorit, e atyre njerëzve që dolën së fundi në dritë, prej rrethimit të telave me gjemba, me shpirt ende të pacënuar, në sajë të shpërthimit të energjive të fjetura.

E lexon këtë romancë e nuk ke se si të mos drithërohesh jo vetëm nga gjendjet e përprushura lirike dhe mesazhet që përçon, por për faktin se si ajo është krijuar përbrenda skutave të ngrehinës së tmerrit të burgut famëkeq të Burrelit. Nuk do ta tepronim aspak, po të shprehemi në mënyrë figurative, se kjo vlerë artistike është ngjizur e rritur njëlloj si perlat përbrenda guaskës së molusqeve të nëndeteve të thella. Gjuetarët e perlave e dinë se ç’heqin për t’i zbuluar e nxjerrë prej thellësive detare e për t’i vënë në shërbim të njeriut të tilla thesare.

Pra, kjo romancë që s’ka asgjë të përbashkët me tmerret e burgjeve, përkundrazi është një përpjekje e suksesshme e autorit, sa dëshirë dhe trill, për t’i kënduar ndjenjës njerëzore të stërlashtë sa vetë njeriu, dashurisë. Megjithëse në një fushë ku kanë hyrë e kanë dështuar shumë shkrimtarë, Pjetër Arbnori, sipas mënyrës së vet, me ngjyrimet e botës së tij emocionale, më në fund, ia del mbanë t’i thurë një himn të ri dashurisë, veshur kësaj here me karakteristika nga më shqiptaret.

Ata që do ta lexojnë këtë romancë, do të binden se pas botimit të novelës “Kur dynden vikingët”, shtëpia botuese “Bilal Xhaferri” paraqet një tjetër dëshmi artistike për talentin e pamohueshëm të këtij autori, tashmë jo të ri në moshë, por të ri në shpirt. “Bukuroshja me hijen” është një sfidë për skeptikët, për nihilistët, për mediokrët. Edhe pse brenda errësirës së burgjeve, ai në shpirtin e në veprën e tij ruajti pastërtinë e dritës, kur shumë shkrimtarë të tjerë, edhe pse jetuan në dritë, në jetën e tyre zuri vend errësira e diktaturës.

Pjetër Arbnori do ta zërë vendin që i takon në letërsinë tonë. Ai si një gjuetar i palodhur me siguri do të vazhdojë kërkimin e të tilla perlave në detet e mundimshme të krijimtarisë për kënaqësinë e atyre që e njohin vlerën e mrekullive. Dhe e ardhmja ka për ta shpërblyer, duke e skalitur emrin e tij në kujtesën e kohës.

Rebelja dhe "Parajsa e shitur", Dylbere Dika

REBELJA DHE “PARAJSA E SHITUR”

Nga Shefki Hysa

Shënime për vëllimin poetik të poetes Dylbere Dika

Kisha kohë pa lexuar krijimtari të autorëve të rinj dhe, sapo lexova poezitë e para të poetes së re Dylbere Dika, nga Sllova e Dibrës, ndjeva një befasi të këndshme në vetvete. U shkëputa nga rutina e së përditshmes, siç shkëputet papritmas një gulsh llave nga një vullkan i heshtur dhe u ndjeva i përtëritur. Më dukej se më kishte përfshirë një zgjim i veçantë pranveror dhe kuptohej lehtë se arsyeja e vetme e përtëritjes sime ishte ajo buqetë ndjenjash që po më dhuronte, nëpërmjet vëllimit të saj poetik “Parajsa e shitur”, ende pa botuar, Dylberja njëzetedyvjeçare (datëlindja 4 shtator 1979), e cila sapo i ka kapërcyer livadhet e adoleshencës.

“Dhe tani s’ke ndryshuar shumë
Më rend si mëzi pa të zot lëndinave dhe thua:
Është bota zhyl dhe dhunë”…

Pra, si personazhi i vargjeve, edhe poetja është po ajo, adoleshntja e pandreqshme, çamarroke, që paragjykon e gjykon botën tonë dhe nuk përton ta cilësojë atë edhe si parajsa e shitur, ashtu e rebeluar siç ndihet nga përplasja me paudhësitë e jetës.
Poete rebele! E rebeluar në shpirt nga bukuritë e jetës, pronë e të pushtetëshmëve të kësaj bote, mollë të ndaluara për njerëzit e thjeshtë. Vetëm bukuritë e natyrës u lejohet të gëzojnë të thjeshtëve, të njerëzishmëve…

Me të drejtë ndihem edhe unë i brengosur si poetja e shprehur në vargje: “Udhëtoj me veten:
Me kokë ndër duar,
Me brengë në zemër.
Vdekje me të drejtë.
Vërtet poetja i uron vdekjen botës!?

Jo! Kurrsesi jo! Njeriu që i këndon krijimit të Parajsës tokësore, që krijon edhe vetë sa mundet, nën shembëlltyrën e të Madhit Zot, nuk mund të pajtohet me vdekjen! Ajo dëshiron vdekjen e së keqes!
Për këtë ëndërron dhe shprehet në poezitë e veta Dylberja, kjo adoleshente e pandreqshme.
Le t’i urojmë Dylberes fat të kapërcejë Ylberin e dëshirave dhe të bëhet një poete e madhe, ashtu siç ëndërron, dhe t’i dhurojë njerëzimit krijimtari edhe më të bukur nga vëllimi i saj poetik “Parajsa e shitur”, të cilin po e merr në dorë, i dashur lexues!

Krastakraus - dashuri dhe paqe, Bilal Xhaferri

“KRASTAKRAUS” – DASHURI DHE QËNDRESË

Nga Shefki Hysa

Shënime për romanin “Krastakraus” të shkrimtarit Bilal Xhaferri

Bilal Xhaferri (2 nëntor 1935 – 14 tetor 1986), poet, prozator dhe publicist i shquar disident. Autor i shumë veprave ende të papublikuara: “Krastakraus”- kryevepra e tij. Ky do të ishte përkufizimi më i saktë për Bilal Xhaferrin, shkrimtarin e etnisë shqiptare, siç e kanë cilësuar disa studiues.

U lind në Ninat të krahinës së Konispolit, në rrethin e Sarandës, në një familje atdhetare që i përket fisit të dijetarit të shquar enciklopedist Hasan Tahsinit, Rektor i parë i Universitetit të Stambollit.

Më 1945 komunistët i pushkatuan babanë, Xhaferr Ferik Hoxha, për bindje nacionaliste antikomuniste. Bilali mbeti jetim, djalë i vetëm, vëlla i tri motrave. Jeta e tij më vonë do të ishte një fatalitet. Si një Sizif, mbi shpinë do t’i rëndonte guri i rëndë i biografisë së “keqe”. Mezi arriti të mbaronte një shkollë për teknik gjeometër dhe jeta e tij zuri të rridhte nëpër kantjeret e vështira të ndërmarrjes rruga-ura, duke ndërtuar dhe asfaltuar rrugë të reja dhe në kërkim të shtigjeve të krijimtarisë letrare.

Më 1966 botoi vëllimin me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” që shkrepëtiu në mendjet e lexuesve si rrufeja në qiell të kthjellët. Talenti i jashtëzakonshëm, Bilal Xhaferri, po sillte në letërsinë shqiptare një frymë të re romantiko-realiste që synonte zgjimin e ndjenjave të fashitura të njeriut të indoktrinuar prej komunizmit. Përkundër “njeriut të ri”, bastardit që synonte të gatuante diktatura komuniste, Bilali me krijimtarinë e tij u bënte thirrje shqiptarëve t’i kthenin sytë nga lashtësia, nga të parët e tyre, etërve luftëtarë bujarë e liridashës, zotër të këtyre trojeve amtare.

Më 1967 u botua vëllimi i tij poetik “Lirishta e Kuqe”, mirëpo nuk arriti të qarkullonte. Me urdhër të censurës komuniste u shndërrua në brumë kartoni. Në ato pak kopje që arritën të shpëtonin, vjedhur prej dashamirëve të Bilalit, lexuesit, krahas mjeshtërisë artistike, shihnin të spikaste disidenca e heshtur e këtij autori të papërkulur, krenar për gjakun e vet pellazgo – ilir.

Më 24 gusht 1969 Bilal Xhaferri u detyrua të arratisej për në Greqi e mandej të emigronte për në SHBA, në Çikago ku botoi për më shumë se 10 vjet revistën antikomuniste “Krahu i shqiponjës”, revistë dygjuhëshe shqip – anglisht.
Vdiq në rrethana të panjohura më 1986, i brejtur nga malli për atdheun dhe urrejtja për komunizmin që e kishte izoluar Shqipërinë përbrenda telave me gjemba.

Romani i tij “Krastakraus” (Kreshta e Krujës, qytet – vendlindja e kryetrimit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeut), shkruar që në vitin 1968, u end gjatë nëpër redaksitë e të vetmes shtëpi botuese të shtetit komunist, përderisa përfundoi i burgosur nëpër arshivat e saj për vetë idetë që shtjellonte. U botua vetëm në vitin 1993 prej shtëpisë botuese private “Bilal Xhaferri”, krijuar për të përkujtuar emrin e këtij autori të shquar disident.

Romani “Krastakraus” është një vepër monumentale, njëherësh sa klasike dhe moderne. E merr temën nga e kaluara historike e Shqipërisë e pikërisht nga periudha e luftërave heroike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mbretit të shqiptarëve (1417-1467), i cili për një çerek shekulli përballoi me shpatën e vet dyndjet osmane në mbrojtje të shtetit shqiptar dhe të krishterimit. Është një vepër e shkruar mjeshtërisht. Imagjinata e fuqishme e këtij autori depërton nëpër mjegullën e mesjetës dhe përmes tablove dhe detajeve që përshkruan arrin t’i zbresë nga trualli i legjendave heronjtë dhe t’i sjellë ashtu të gjallë në sytë e lexuesve. Përmes jetës dhe bëmave të luftëtarëve të thjeshtë të Gjergj Kastriotit, shpaloset e tërë historia e luftërava shqiptaro – turke, e fitoreve dhe e humbjeve, e tradhëtive dhe e qëndresës.

Në qendër të këtij romani ngrihet figura e Strezit, njërit prej oficerëve trima të gardës së Skënderbeut dhe nëpërmjet linjës së dashurisë së tij për princeshën Ajkuna, në njërën anë dhe veprimtarisë së tij prej luftëtari trim, në anën tjetër, shtjellohen fatet e personazheve të tjerë në situata paqeje dhe betejash.

Bota e personazheve, psikologjia e tyre gërshetohen me natyrën aq sa herë – herë nuk kupton nëse njeriu është krijesë e natyrës apo natyra krijesë e tij. Trinia: Perëndi, natyrë, njeri dhe anasjelltas, ndërthuret si një nyje fatale në botën e secilit personazh si dhe në rrjedhën e ngjarjeve dhe situatave liriko – dramatike të prirura drejt tragjikes që kërcënon fate personazhesh dhe popujsh.

Fundi i këtij romani është një përshkrim mjeshtëror, gati homerik, i një beteje tepër të përgjakshme, pa fitimtarë dhe pa të mundur; i një beteje që nënkupton beteja dhe qëndresa të tjera dhe më të përgjakshme për të siguruar mbijetesën e një populli krenar që di ta jetojë jetën edhe në kohëra paqesh, edhe në kohëra luftërash.

“Krastakraus” është njëherësh simbol i dashurisë dhe i qëndresës njerëzore, është simbol i fitores së qytetërimit përballë dyndjeve barbare të të gjitha kohërave.
Njeriu i sotëm shqiptar gjen nëpër faqet e romanit shembëlltyrën e tij dhe gati dashurohet me vetveten si Narcisi i Mitologjisë përballë veprës së Bilal Xhaferrit. Shpresojmë të jetë një befasi e këndshme edhe për lexuesit ky libër.

 

 

"Parajsa" e humbur, Artur Spanjolli

“PARAJSA” E HUMBUR

Nga Shefki Hysa

Shënime për librin “Nata e qiparisave të huaj” e Artur Spanjollit

“Nata e qiparisave të huaj” e krijuesit të ri Artur Spanjolli është një përmbledhje me poezi dhe esse që shpreh në thelb filozofinë e moshës së tij. Arturi njëzetëvjeçar çuditërisht i ngjan një plaku të mençur në krijimet e veta. Kjo vjen, ndoshta, ngaqë ka rendur aq shumë në kërkim të parajsës së ëndërruar, saqë edhe nëse do ta gjente atë (?!), do të ishte si diçka e pavlerë për shpirtin e tij të stërmunduar që tanimë ka humbur diçka prej asaj që quhet parajsë shpirtërore-ndjeshmërinë. Kjo vjen thjesht se për të arritur një sukses të moshës ai, si shumë të rinj shqiptarë, ka harxhuar tërë potencia1in shpirtëror, atë potencial që në kushte normale do ta ndihmonte për të ndërtuar “parajsën” e tërë jetës së tij.

Sidoqoftë, tjetër gjë peripecitë e jetës e tjetër gjë vlera e krijimtarisë; Arturi në “Nata e qiparisave të huaj” shprehet si një autor i pjekur, megjithëse ky është botimi i parë. Odiseja e jetës së tij nëpër Ita1i e veçanërisht në Firence, ku arrin të marrë pjesë në një konkurs letrar dhe fiton jo vetëm një çmim, po edhe një mundësi për t’u regjistruar në Universitetin e këtij qyteti të lashtë, për letërsi moderne, i ka dhënë përvojën e një emigranti të regjur. Përvoja në njërën anë si dhe përmbledhja e krijimeve të zgjedhura, nga tre vëllime të ndryshme, brenda një libri, e bëjnë botimin “Nata e qiparisave të huaj” një vepër të spikatur për autorin njëzetëvjeçar.

Botimet që do të dalin më vonë do ta prezantojnë edhe më denjësisht Artur Spanjollin, megjithatë le të kënaqemi si fillim me këtë libër, i nderuar lexues.
Si të mbetemi të kënaqur le t’i urojmë suksese të mëtejshme këtij poeti e prozatori të gatuar prej jetës në një mënyrë disi të veçantë…

Të rilindësh prej ferrit, Pjetër Arbnori

TË RILINDËSH PREJ FERRIT

Nga Shefki Hysa

Shënime për romanin “Vorbulla” të shkrimtarit Pjetër Arbnori

Thuhet se Bota lindi prej Kaosit, se Drita lindi prej Territ. Mirepo nuk mund të pranohet se edhe jeta lindi prej vdekjes. Jeta është Bota plot dritë. Jeta është vazhdimisht e rrezikuar prej Vdekjes, ashtu si edhe Bota prej Kaosit, si Drita prej Territ. Megjithatë Jeta gjallon në Botë prej mijëra e mijëra vjetësh të shkuara. Jeta mbijeton, verçanërisht, te Njeriu – krijesa e vetme e arsyeshme dhe më e rrezikuara e kësaj Bote. Njeriut i kërcënohet gjithçka. Njeriu i kercënuar bashkëjeton me rrezikun, i reziston rrezikut. Gjithandej rreziqe e mbi të gjitha rreziku prej llojit të vet.

Në vorbullat e historisë shfaqen jo vetëm individë, po edhe popuj luftëtarë. Raca të kërcënuara nga të tjera raca njerëzore. Popuj të rrezikuar nga të tjerë popuj. Midis të rrezikuarve, populli shqiptar mbetet me i rrezikuari. Ndoshta që në kohërat e Prometeut. Shqiptari – modeli i njeriut të rrezikuar. Madje edhe nga vetvetja. Gjysh pas gjyshi i gllabëruar në shtjellat e vorbullave të vdekjes.

S’mund të thuash se zjarri rindizet prej hirit të vet, por shqiptari i përvëluar nëpër luftëra, nga dyndjet e barbarëve dhe të perandorive të Perendimit dhe të Lindjes, është rilindur prej hirit të tij. Heroi shqiptar sa e sa herë ka rilindur prej mortit që binte mbi kryet e tij. Izraelitët, të përndjekurit biblikë, nëpër valët e historisë së njerëzimit mbijetuan. U përndoqën rishtaz, pothuajse gjer në shfarosje, prej nazistëve. Njerëzimi i bëri homazhe dhimbjes izraelite. Dhimbjes shqiptare, përkundrazi, i është kthyer shpina.

Shqiptarit i është dashur të ridalë sa e sa herë prej rrënojave të perandorive. Ka rizbuluar vetveten, ashtu siç arkeologët zbulojnë statujat antike pas gërmimeve tejet lodhëse. Perandori pas perandorish janë shembur mbi kryet e shqiptarit dhe ai është ringritur, ashtu marramendthi, i përplagur, nëpër muzgjet perandorike dhe ka mundur të rezistojë heroikisht, nga njëra pragvdekje në tjetrën, nga njëri rreth i ferrit në tjetrin, përderisa ka rilindur përsëri e përsëri.

Të tillë heronj mishëron romani “Vorbulla” i shkrimtarit Pjetër Arbnori. Heronj të rilindur prej vorbullave të ferrit njerëzor. Pasi ta lexojë “Vorbullën” ndokush mund të thotë se Arbnori ka rikrijuar artistikisht një realitet historik të shkëputur prej vorbullave të muzgjeve të periudhës pas Lidhjes së Prizerenit. Mirëpo, pavarësisht nga ngjyrimet kohore dhe origjinaliteti i papërsëritshëm i ngjarjeve dhe episodeve që rrëfehen në vepër, heronjtë e saj të sjellin ndërmend luftëtarin e qëndresës së të gjithë mijëvjeçarëve shqiptarë, madje edhe heroin e rilindur prej epokës se ferrit komunist. Pra, “Vorbulla” është një prerje e historisë mijëvjeçare shqiptare, pavarësisht nga pozicioni kohor që përjetohet, është sintezë e pështjellimeve të së shkuarës dhe të së ardhmes, sa përimitim aq edhe përgjithësim artistik. Një vepër e krijuar në rrethana të pazakonshme, e lindur si shtjellë drite në terrin e burgjeve, me personazhe të pazakonshëm, që i ngjajnë, pak a shumë, krijuesit të tyre.

Arbnori u rilind prej ferrit, duke u shpëtuar mrekullisht vargonjëve të vdekjes. Ferri i kuq gllabëroi shumë viktima, si personazhet e pafat të përrallave që, për t’u pasuruar apo për të patur të Bukurën e Dheut për nuse, marrin atë “udhë nëpër të cilën vete dhe nuk kthehesh”. Përkundrazi, Arbnori, nëpër këtë udhë përfundoi në “botën e përtejme” të burgjeve komuniste. Mbijetoi gjithë tmerret e rrathëve të ferrit dhe, më në fund gjeti udhën e kthimit i ngarkuar me ngadhnjim dhe me tërë ato pasuri – veprën e vet letrare, midis tyre edhe romani “Vorbulla”, si dhe të Bukurën e Dheut – nderimi që meriton shkrimtari. “Ai i shpëtoi epidemisë së murtajës”, thuhet në të tilla raste. Ai mbijetoi, si dhe personazhet gati mitikë të “Vorbullës”. Për hir të artit dhe aftësisë për të rilindur, ai do të gdhendet në kujtesën e brezave.

 

 

Himn për njeriun, Hekuran S. Halili

HIMN PËR NJERIUN

Nga Shefki Hysa

Shënime për librin “Unë-Njeriu” të poetit çam Hekuran S. Halili

Zoti, si e krijoi Njeriun, i dha mendje më shumë nga gjithë krijesat e tjera. Pastaj thirri engjëjt dhe u tha:
- Përuljuni Njeriut, është një nga krijesat e mia më të përsosura, më të dijshme në gjithësi. E kam caktuar mëkëmbësin tim në Tokë.
Dhe engjëjt iu përulën me respekt Njeriut.
Satanai kundërshtoi:
- O Zot, – tha, – unë nuk i përulem një krijese të vdekshme prej balte. Jam i pavdekshëm prej nuri, prej zjarri.
- Përulju! – e urdhëroi Zoti. – Është krijesa ime më e mençur, më e dijshme! Shumë më i mençur nga ti…
- Jo! – kundërshtoi prapë Satanai i pabindur.
- I përbuzur qofsh në jetë të jetëve! – e mallkoi Zoti dhe e flaku larg Parajsës, duke e dënuar përgjithmonë në Ferr për mosbindje.

Dhe qysh në fillimet e jetës njerëzore Satanai u betua në vetvete për ta dëmtuar me çdo kusht Njeriun. Dhe për ta shkatërruar i shpalli luftë për jetë a vdekje kësaj krijese madhështore, luftë që vazhdon edhe sot e kësaj dite gjithandej nëpër botë, lufta midis së Mirës dhe së Keqes. Ishte lufta djallëzore e Satanait që e mashtroi Njeriun, e shtyu në ngasje dhe humbi Parajsën dhe u rrëzua në vorbullat e kësaj çmendurie që po e torturon ngado e kudo.

Kështu përshkruhet në të gjithë librat e shenjtë historia e fillimeve të jetës njerëzore, rrjedha e mëvonshme e së cilës është përpjekja e përditshme e Njeriut për të mbijetuar në luftën midis së Mirës dhe së Keqes, që përfaqësohen nga vlerat e virtytet hyjnore, në njërën anë, të mishëruara në shpirtin njerëzor dhe antivlerave e mëkateve djallëzore të formësuara në imazhin e qoftëlargshpirtligut, Satanait të përbetuar për ta zhbërë njerëzimin.

Njerëzit e mirë e të ndershëm, tepër të ndjeshëm ndaj rrezikut që i kanoset përditë e më shumë figurës së Njeriut, shqetësohen, zemërohen, revoltohen e rebelohen ndaj së keqes dhe përpiqen e sakrifikojnë për ta shpëtuar njerëzimin dhe vlerat e tij.
Pra, jeta njerëzore në të gjithë globin, po ta vëresh me syrin e një poeti si Hekuran S. Halili, tashmë është tepër e rrezikuar. Duket sikur e keqja po triumfon dita-ditës mbi të mirën dhe qenia njerëzore, në prag të shkatërrimit e asgjësimit, nuk ka më asnjë rëndësi. Dhe në këtë gjendje duhen shumë sakrifica gjer në kufi të mbinjerëzores për të shpëtuar Njeriun e ndershëm nga e pandershmja. Ky është edhe realiteti jetësor, jo vetëm teksti dhe nënteksti i realitetit artistik nëpër krijimtarinë e poetit të përfshirë herë-herë prej dilemës së madhe: “I ndershmi a i pandershmi do të sundojë globin?!”…

Po të vëresh jetën me syrin e një sociologu, do të arrish në përfundimin:
“Njeriu, rrezik vdekjeje! Njeriu nuk vlen asgjë! Mbi gjithçka paraja! Vlen më shumë një qen se Njeriu!”
Duken si absurde të tilla konstatime, por ja që kjo është e vërteta e së përditshmes njerëzore në tërë globin. Nëpër ekrane televizive shpesh e më shpesh sheh parada qensh-zotërinj të shoqëruar nga milionerë të kërrusur në rolin e shërbyesve të tyre. “Rrofshin kafshët! Vdekje Njeriut!” Këtë predikojnë herë-herë mediat vizive dhe shtypi i shkruar. Nuk e besoni?! Bëhuni më të vetëdijshëm dhe vëreni çmendurinë përqark Njeriut!

Po kaq të rrezikuara janë vlerat njerëzore edhe në realitetin shqiptar. Pikërisht kjo e shqetëson më shumë poetin Hekuran S. Halili, prandaj krijimet e veta ia ka kushtuar, veçanërisht Njeriut Shqiptar.
“Vdekje Njeriut!” – ulërasin e gjëmojnë antivlerat.

“Unë, Njeriu! Njeriu mbi gjithçka!” – këlthet dhe kushtron me të drejtë bota e poetit Hekuran S. Halili, përkundër rrëmetit djallëzor që po e mposht çdo vlerë njerëzore gjithandej globit të mbushur me luftëra grabitqare e padrejtësi.
Pra, jo më kot titullohet “Unë – Njeriu” përmbledhja poetike e poetit Hekuran S Halili. Ky titull nuk është rastësor, por një rrjedhë logjike e kushtëzuar nga realiteti i vështirë që na rrethon, është vetë thelbi i çështjes së mbijetesës njerëzore, është një përfundim hyjnor i përcjellë gjenialisht në mendjen e poetit prej Gjeniut, Krijuesit të gjithçkaje, Zotit.

“Njeriu të sundojë në Tokë!” – ishte porosia e Zotit që në fillimet e jetës njerëzore. Këtë mundohet të pasqyrojë edhe poeti nëpër vargjet e tij…
Pra, Zoti Njeriut i dha Dije nga Dijet e Veta, i dha Dritë nga Drita e Tij, e shenjtëroi dhe e caktoi si Mëkëmbës në Tokë, i delegoi pushtet që të jetonte në bazë të parimeve e ligjeve hyjnore dhe jo të hante vetveten, të shndërrohej në kanibal vetëngrënës e kamikaz vetëvrasës, siç po ndodh në realitet.

Përkundër kësaj gjendjeje djallëzore e satanike që po sundon sot botën, Hekuran S. Halili, me mençurinë dhe largpamësinë e një poeti të frymëzuar prej Zotit, rikthehet në origjinën njerëzore dhe në traditën e romantikëve të Rilindjes dhe evokon zanafillën e lavdishme, madhështinë e krijesës Njeri që iu përulën edhe engjëjt, Njeriut që duhet ta sundojë botën si një Sovran Hyjnor dhe jo si një Tiran Satan…

“Unë, Njeriu”, këndon poeti dhe kënga e tij është një himn për madhështinë e qenies njerëzore, e cila ka një Atdhe që quhet Shqipëri; ka një vendlindje, që shtrihet nga Çamëria e grabitur padrejtësisht, në Konispol e në Sarandë, troje të lagura nga ujërat e kaltra të detit Jon, të ngrohura nga rrezet jetëdhënëse të një dielli e klime të bekuar mesdhetare; ka një shtëpi me emrin “Hekuran S. Halili”, gdhendur te dera, dhe brenda saj një familje të mrekullueshme me një grua të rrallë si Bardha, bashkëshorte e nënë e denjë siç ka urdhëruar Zoti, me fëmijë model si Ona e Goni; ka një farefis të madh me plot vëllezër e motra, kushërinj e kushërira, njerëz të mirë e të ndershëm të përkushtuar ndaj punës; ka plot miq të vjetër e të rinj, shokë shkolle e kolegë, të cilëve mendja u punon për vepra të mira, për të zbukuruar jetën e tyre e të të tjerëve dhe të qytetit të tyre, Sarandës turistike; ka e ç’nuk ka ky, Njeri!

Poeti shpirtmadh Hekuran S. Halili është i vetëdijshëm për shenjtërinë dhe fisnikërinë e krijesës Njeri, prandaj jo paqëllim në poezinë e vet i jep rolin e Kryefjalës së Jetës në Tokë, atë rol që i ka caktuar edhe Krijuesi, Zoti, dhe që satanikët mundohen t’ia mohojnë. Ai, herë-herë, nëpër vargje heroin e vet liriko-epik, Njeriun, e identifikon me veten e tij dhe mirë bën se u tregon njerëzve etalonin e Qenies-Njeri. Pra, Hekurani niset nga vetvetja, nga pasuritë e tij shpirtërore e fizike për të dalë te njerëzit që e rrethojnë. Dhe kështu, duke i kënduar vetes, duke nxjerrë në pah vlerat dhe aftësitë njerëzore dhe intelektuale që zotëron, të cilat nuk ngurron asnjëherë t’i vërë ndershmërisht në shërbim të gjithë atyre hallkave që përbëjnë nocionin Njeri: vetja, familja, shtëpia, farefisi, miqësia, shoqëria, vendlindja, vendbanimi, atdheu, bota, gjithësia dhe mbi të gjitha Zoti, poeti Hekuran S. Halili, i fton edhe të tjerët të ndjekin shembullin e tij, të përmbushin Idealin-Njeri, se vetëm kështu mund t’i largohen së keqes që e ka përmbytur gjithandej jetën njerëzore.

Një Njeri, si heroi i poetit Hekuran S. Halili, si vetë ai, nuk i lë kurrë në harresë prindërit e tij, babën e nënën, ata që u lodhën dhe ia ngjizën jetën (vetëkuptohet sipas ligjësisë së Zotit), që e rritën me mundime, që e shkolluan dhe e udhëzuan të vepronte e të sillej si të parët e tyre brez pas brezi, që të bëhej i denjë për veten dhe për pasardhësit. Ky qëndrim nuk është as ditarizëm, as enumeracion e as rëndomësi inventari, por është pasqyra artistike e hallkave të atij zinxhiri që përmblidhen në një nyje jete dhe përbëjnë nocionin Njeri. Pra, Njeri model që u prin të tjerëve në udhën e Zotit me shembullin e vet. Edhe Hekurani, si model njerëzor në jetë, është përpjekur të krijojë një pasqyrë artistike të realitetit që e rrethon, t’u kujtojë të tjerëve se sot më shumë se kurrë cilido duhet të shpalosë vlerat si Njeri e më pas vijnë vlerat materiale e pasuritë që mund të ketë grumbulluar gjatë jetës.

Më shumë se çdo lloj pasurie Hekuranin, Njeri dhe Poet, e shqetëson fakti se si t’u shpjegojë pranueshëm të tjerëve se ishte baba Safeti dhe nënë (nuja) Nazua që e kanë gatuar brumin e Njeriut që mban emrin Hekuran S. Halili. Dhe ia ka arritur që ta ndërthurë natyrshëm praninë e figurës prindërore me të gjitha elementet e tjera të poezisë dhe në harmoni të plotë na ka dhënë një vëllim poetik plot ritëm jete e tejet melodioz si një këngë e gjatë me një refren të gjetur e tërheqës gjer në magnetizëm, që na paraqitet në trajtën e një himni të mrekullueshëm për simbolin e Njeriut, himn mbresëlënës, i pëlqyeshëm e solemn si të gjitha himnet, veçanërisht si himni i Atdhut dhe i Flamurit, të cilët janë nga më të shenjtit dhe më të prekshmit në botën njerëzore në çdo qoshe të globit.

“Himni i Njeriut mbi të gjitha”! – kushtron poeti Hekuran S. Halili, në librin e tij “Unë – Njeriu”, me dëshirën e madhe që ta mësojë çdokush një himn të tillë dhe të bëhet i vetëdijshëm për vlerat njerëzore që na ka dhuruar Zoti dhe që satanikët përpiqen me të gjitha mjetet për t’i varrosur.

 

 

Mesazhe shprese dhe paqeje, Namik Mane

MESAZHE SHPRESE DHE PAQEJE

Nga Shefki Hysa

Shënime për vëllimin me tregime “Një natë e zakonshme” e shkrimtarit Namik Mane

Shkrimtari Namik Mane (lindur në Filat të Çamërisë më 13 mars 1942), pas botimit të librit me poezi “Pjergulla e lotëve”, vjen para lexuesit me përmbledhjen me tregime “Një natë e zakonshme”. Në tregimet e këtij libri mbizotërojnë tematika dhe problematika shoqërore. Pra, autori na paraqitet si zëdhënës i kohës që ka jetuar, e sjell të pasqyruar artistikisht atë, me dashurinë dhe dhembjen, që karakerizon krijuesit potencialë… Tregimet janë si të thuash një farë autobiografie e autorit dhe biografi e bashkëkohësve të tij nëpër rrjedhën e viteve… Ato dallohen për një pasqyrim realist të jetës, për vërtetësi dhe frymë poetike, në paraqitjen e ngjarjeve, në thurjen e tyre intuitive subjektore, në zbulimin e marrëdhënieve të personazheve e në skalitjen e tyre me viza të gjalla e të spikatura, çka ka bërë që shumë prej këtyre personazheve t’i mbeten ndër mend lexuesit…

Nëpërmjet stilit bisedor, pa sajesa, stisje, truke e artifica, Namiku krijon një prozë të shkurtër, që lexohet rrjedhshëm, ngjall kureshtjen dhe interesin e lexuesit për mënyrën sesi ndërthuren marrëdhëniet shoqërore, jo rrallë edhe të acaruara, prej peripecive, befasive të jetës dhe ndikimeve të politikës së kohës në botën shpirtërore të vet autorit dhe të njerëzve që e rrethojnë…

Namik Mane, bashkëkohës, mik i ngushtë dhe shok në letra, i shkrimtarit të shquar disident Bilal Xhaferri, është shfaqur në shtypin letrar, me krijimet e para në poezi dhe në prozën e shkurtër, që në vitet 60-të. Emri i tij, në ato vite, rreshtohej përbri krijuesve si, Bedri Myftari, Bardhyl Agasi, Moikom Zeqo etj., mirëpo për faktin se rridhte nga një fis i ardhur nga Çamëria, i fuqishëm ekonomikisht, me tradita atdhetare dhe antikomuniste, censura e kohës i hoqi të drejtën e botimit…

Në këto kushte Namik Mane luftoi gjatë për të mbijetuar, si shkrimtar, dhe krahas vlerave të vërteta letrare, që ka nxjerrë pena e tij, herë herë, për hir të botimit nëpër gazetat e kohës, u është nënshtruar edhe kërkesave të tyre për krijimtari me tematikën e rëndomtë të ditës… Kjo shihet edhe në ndonjë tregim me temën e punës, të cilin autori, i vetëdijshëm për dobësitë, e ka përfshirë në libër me dëshirën për të dhënë sa më të plotë pasqyrën e kohës së diktaturës, kur përfundoi për disa vjet dhe në internim, në Hamallë të Durrësit, (periudhë e përshkruar bukur në tregimin “I treti”), së bashku me shkrimtarin e shquar Bilal Xhaferri…

Libri “Një natë e zakonshme” është një bashkëbisedim i këndshëm i autorit me lexuesin. Tregimet janë shkruar me një gjuhë të pasur artistike, me fjali të shkurtra, që shprehin ndjenjë dhe energji, me frazeologji popullore, sidomos të krahinës së Çamërisë. Të lë mbresë fakti se autori i këtyre tregimeve është prozator vërtet i formuar dhe i kompletuar dhe, ç’është më e rëndësishmja, tani krijimtaria e tij gjendet në kulmin e pjekurisë artistike. Nuk ka sesi të mos e dallosh këtë dukuri në konceptimin origjinal të tregimeve, në mënyrën e shpalosjes së subjektit, në vizatimin e personazheve e deri në gjetjen e detajeve dhe imtësive shprehëse të veçanta, të cilat padyshim që ua shtojnë vlerat tregimeve të kësaj përmbledhjeje.

Në këtë kuptim Namiku hyn në radhën e prozatorëve të mirë që kemi sot, edhe pse krijimtaria e tij është e paktë dhe deri tani e pavlerësuar ashtu siç e meriton. Tregimet e tij dallohen për mirësi e fisnikëri, si vetë shpirti i autorit, por janë njëkohësisht edhe një mesazh shprese për pajtim dhe paqe midis njerëzve të të gjitha shtresave shoqërore, pa dallim feje, race dhe ngjyre. (Lexoni me vëmendje tregimin “Grekia”, personazhen e të cilit autori e përshkruan me dashuri, pa as më të voglin mllef, megjithëse, si i dëbuar përdhunshëm prej Çamërisë, mund t’i lejonte vetes ndonjë ngarkesë emocionale negative)…
I urojmë shkrimtarit Namik Mane suksese të mëtejshme në krijimtari dhe ty, i dashur lexues, lexim të mbarë!…

Paralajmërim për "Vikingët", Pjetër Arbnori

PARALAJMËRIM

Nga Shefki Hysa

Shënime për novelën “Kur dynden vikingët” e shkrimtarit Pjetër Arbnori

Sapo lexon titullin e librit “Kur dynden vikingët” të shkrimtarit Pjetër Arbnori, mendja të shkon menjëherë te dyndjet barbare qysh ndër kohërat më të lashta. Përfytyron jo pa dhimbje qytetërime të tëra të zhdukura, popuj të zhbërë, raca e gjuhë të asimiluara. Vandalët të etur për zulmë, u kanë gllabëruar edhe shpirtin, jo vetëm materien, pa mundur të njerëzohen kurrë, t’u ngjasojnë sadopak atyre që mundoheshin të nënshtronin.

Po autori për ç’dyndje bën fjalë? Mos vallë për murtajën komuniste? Shënimi “Shkruar në burgun e Burrelit” qysh në krye si një nëntitull domethënës, të nxit mendimin se, në këtë libër, objekt i shkrimtarit rebel e kundërshtar i denjë politik i ish diktaturës, duhet të jetë pikërisht ajo klimë ferri që zotëronte gjithë lindjen komuniste e në veçanti Shqipërinë. Mirëpo që në fjalinë e parë të kësaj novele përballesh me Rajhun e tretë të ish Gjermanisë naziste. Pra, është fjala për diktaturën hitleriane, një ndër modelet më të përkryera të makinave shtypëse antinjerëzore të tipit stalinist.

Shpërngulja e ngjarjeve nëpër labirintet e Gjermanisë naziste, nuk është gjë tjetër veçse mesazhi i autorit, i dërguar nga burgu i Burrelit për ngjashmërinë e krimeve të nazizmit dhe komunizmit në jetën familjare, shoqërore e politike. Madje, të zgjohet edhe kureshtja për të zbuluar raportin midis simbolikës dhe realitetit që bart në vetvete togfjalëshi “dynden vikingët”. Pse jo “dyndeshin vikingët”? Ku e ka sekretin dhe epërsinë përdorimi i kohës së tashme të foljes dynden, në krahasim me trajtën e së shkuarës që mund t’i përshtatej edhe periudhës së zhvillimit të ngjarjeve?

Ende vazhdojnë të dynden vikingët? Në ç’përmasa dhe cilat janë pasojat e dyndjeve?
Të mundojnë një copë herë të tilla pyetje, por shpejt harrohesh në një lexim tejet emocional para asaj hapësire të çuditshme që të shpaloset e gjallë ndër sy, si brigjet tunduese e ndjellëse të sirenave të Odisesë apo si ishujt magjikë të Çirçeve ku më pas përjeton veç ankth, dhimbje, revoltë e tmerr për atë përçudnim njerëzor që të pret udhën.

Erna e hijshme flokëverdhë e sykaltër që magjeps edhe lexuesin, jo vetëm të shoqin, personazhin kryesor, me vështrimet dhe sjelljet e saj ,ku pas pasqyrimeve të gjireve të qeta shpirtërore fshihen trazimet e grackat e së keqes, është magjistarja e kohëve moderne. Vjen një çast dhe diku ngecet e nis të shplekset pëlhura e mashtrimit e endur gjatë në vegjen e padukshme të ndryrë nëpër skutat e ngrehinës diktaturë.

Atëherë del fytyra e vërtetë e Ernave me tërë shëmtimin dhe përçudnimin, pabesinë dhe kurthet që bartin shpirtrat e tyre të zinj. Atëherë s’ka se si të mos e vësh re përqasjen që autori u bën, përmes realitetit hitlerian, diktaturave të të gjitha kohëve. Madje edhe ish diktaturës shqiptare. Vdekja mbetet e neveritshme dhe gjëmëzezë në çdo rrethanë, formë e mënyrë që të ndeshesh me të. Vdekja është vdekje edhe kur të vjen prej puthjeve të vampirëve si Erna, simotrat e së cilës i kemi hasur gjatë viteve të diktaturës komuniste.

Për autorin diktatura nuk është thjesht një mekanizëm i verbër, por mendja e zezë dhe dora vrastare e demonëve si avokati fon Shvajcer, i besuari fanatik i partisë-shtet. Dogmat partiake, ideali i tij i vetëm, siç është figura e demonit sinonim i së keqes. Ai njëherësh si hije nuk ndodhet askund dhe ndodhet kudo. Madje edhe shpirti i Ernës, është hija e tij, mendësia dhe tërë veprimtaria e përfaqësuesve të ligjeve e të shtetit, nuk janë gjë tjetër veç pronë e tij. Jo pa dhimbje e ndrydhje të zemrës, pa rrënqethje të mishit, paralelisht me leximin e veprës, na vijnë ndër mend tërë ajo gardë makabre partiako-shtetërore, me sekretarët e partisë, aktivistët e spiunët e lagjeve e oficerët e sigurimit që arrinin gjer aty saqë e fusnin ndokënd në burg edhe pse e kish gruan të bukur.

Pra, faqet e librit e zbulojnë dalëngadalë atë botë meskine, servile, prapaskeniste e njëherësh kriminale që rrafshon çdo vlerë njerëzore, botën komuniste të themeluar për gati 50 vjet edhe në Shqipëri. E ngjashme si dy binjakë me nazizmin gjerman diktatura e kuqe. Me sa duket autori shënon nazizmin e qëllon komunizmin, atë murtajë, që i mori rininë, familjen e gjithçka. Të joshte si kënga e sirenave, si pamja e mrekullueshme e Çirçeve dhe e tërë magjistareve, propoganda hitleriane apo ajo enveriane dhe pastaj ashtu si pakuptuar ta përdhoste moralin, ndërgjegjen e po të kundërshtoje të merrte dhe shpirtin nëpër katakombat e saj, siç veproi edhe me autorin duke e përplasur burgjeve të zeza.

Këtë “këngë” ndjellakeqe që shpërndan gjithandej jonet e vdekjes e ndien gjer në palcë kur lexon këtë vepër të Pjetër Arbnorit. Ndien gjithashtu edhe atë revoltë që duhet ta ketë frymëzuar aty në qelinë e errët kur ngjizte materialin jetësor për ta shndërruar në art. Kjo novelë tejet realiste me një ndjenjë të pakufishme humanizmi, që ndoshta askush nuk e priste nga një i persekutuar si Pjetër Arbnori (30 vjet burg), tingëllon si një aktakuzë e fuqishme për të gjitha kohërat e diktaturave, të atyre që kaluan e që mund të vijnë. Mjerë kulkturat e qytetërimet botërore përballë diktaturave! S’janë asgjë dyndjet e lashta të vikingëve, në krahasim me rroposjet që shkaktojnë diktaturat e monstrat e tyre, vikingët e rinj. Vdiq nazizmi, ra edhe komunizmi në Shqipëri, mirëpo rreziku i dyndjes së vikingëve ende nuk ka rreshtur. Prandaj titulli i këtij libri është njëkohësisht edhe një kushtrim për vigjilencë: kujdes, o njerëz, ruhuni nga vikingët e kohëve moderne!

Vërtet me pak faqe kjo novelë, por për nga idetë dhe mesazhi është një vepër dinjitoze që të kujton “Fati i njeriut” e Shollohovit, “Shkretëtira Tartare” e Dino Buxatit, “Plaku dhe deti” e Hemingueit, etj. Është si të thuash, një poemë për rezistencën e njeriut të nëpërkëmbur, të të gjitha kohërave, ndaj demonëve të natyrës apo të shoqërisë njerëzore. Njëkohësisht është edhe një sinjal i qartë që të jep të kuptosh se sa shumë ka humbur Shqipëria duke persekutuar talente të tilla si Pjetër Arbnori me shokë. Se mund të jenë me dhjetëra të tjerë ata që s’arritën kurrë ta thonë këngën e tyre, nga ferri i birucave qoftë edhe të vonuar.
Në fund të fundit ky libër është një befasi e këndshme dhe një fillim i suksesshëm që paralajmëron një ndihmesë të madhe, jo thjesht për lavdi vetjake të autorit, por në shërbim të kombit.

 

 

Paralajmërim për "Vikingët", Pjetër Arbnori

PARALAJMËRIM

Nga Shefki Hysa

Shënime për novelën “Kur dynden vikingët” e shkrimtarit Pjetër Arbnori

Sapo lexon titullin e librit “Kur dynden vikingët” të shkrimtarit Pjetër Arbnori, mendja të shkon menjëherë te dyndjet barbare qysh ndër kohërat më të lashta. Përfytyron jo pa dhimbje qytetërime të tëra të zhdukura, popuj të zhbërë, raca e gjuhë të asimiluara. Vandalët të etur për zulmë, u kanë gllabëruar edhe shpirtin, jo vetëm materien, pa mundur të njerëzohen kurrë, t’u ngjasojnë sadopak atyre që mundoheshin të nënshtronin.

Po autori për ç’dyndje bën fjalë? Mos vallë për murtajën komuniste? Shënimi “Shkruar në burgun e Burrelit” qysh në krye si një nëntitull domethënës, të nxit mendimin se, në këtë libër, objekt i shkrimtarit rebel e kundërshtar i denjë politik i ish diktaturës, duhet të jetë pikërisht ajo klimë ferri që zotëronte gjithë lindjen komuniste e në veçanti Shqipërinë. Mirëpo që në fjalinë e parë të kësaj novele përballesh me Rajhun e tretë të ish Gjermanisë naziste. Pra, është fjala për diktaturën hitleriane, një ndër modelet më të përkryera të makinave shtypëse antinjerëzore të tipit stalinist.

Shpërngulja e ngjarjeve nëpër labirintet e Gjermanisë naziste, nuk është gjë tjetër veçse mesazhi i autorit, i dërguar nga burgu i Burrelit për ngjashmërinë e krimeve të nazizmit dhe komunizmit në jetën familjare, shoqërore e politike. Madje, të zgjohet edhe kureshtja për të zbuluar raportin midis simbolikës dhe realitetit që bart në vetvete togfjalëshi “dynden vikingët”. Pse jo “dyndeshin vikingët”? Ku e ka sekretin dhe epërsinë përdorimi i kohës së tashme të foljes dynden, në krahasim me trajtën e së shkuarës që mund t’i përshtatej edhe periudhës së zhvillimit të ngjarjeve?

Ende vazhdojnë të dynden vikingët? Në ç’përmasa dhe cilat janë pasojat e dyndjeve?
Të mundojnë një copë herë të tilla pyetje, por shpejt harrohesh në një lexim tejet emocional para asaj hapësire të çuditshme që të shpaloset e gjallë ndër sy, si brigjet tunduese e ndjellëse të sirenave të Odisesë apo si ishujt magjikë të Çirçeve ku më pas përjeton veç ankth, dhimbje, revoltë e tmerr për atë përçudnim njerëzor që të pret udhën.

Erna e hijshme flokëverdhë e sykaltër që magjeps edhe lexuesin, jo vetëm të shoqin, personazhin kryesor, me vështrimet dhe sjelljet e saj ,ku pas pasqyrimeve të gjireve të qeta shpirtërore fshihen trazimet e grackat e së keqes, është magjistarja e kohëve moderne. Vjen një çast dhe diku ngecet e nis të shplekset pëlhura e mashtrimit e endur gjatë në vegjen e padukshme të ndryrë nëpër skutat e ngrehinës diktaturë.

Atëherë del fytyra e vërtetë e Ernave me tërë shëmtimin dhe përçudnimin, pabesinë dhe kurthet që bartin shpirtrat e tyre të zinj. Atëherë s’ka se si të mos e vësh re përqasjen që autori u bën, përmes realitetit hitlerian, diktaturave të të gjitha kohëve. Madje edhe ish diktaturës shqiptare. Vdekja mbetet e neveritshme dhe gjëmëzezë në çdo rrethanë, formë e mënyrë që të ndeshesh me të. Vdekja është vdekje edhe kur të vjen prej puthjeve të vampirëve si Erna, simotrat e së cilës i kemi hasur gjatë viteve të diktaturës komuniste.

Për autorin diktatura nuk është thjesht një mekanizëm i verbër, por mendja e zezë dhe dora vrastare e demonëve si avokati fon Shvajcer, i besuari fanatik i partisë-shtet. Dogmat partiake, ideali i tij i vetëm, siç është figura e demonit sinonim i së keqes. Ai njëherësh si hije nuk ndodhet askund dhe ndodhet kudo. Madje edhe shpirti i Ernës, është hija e tij, mendësia dhe tërë veprimtaria e përfaqësuesve të ligjeve e të shtetit, nuk janë gjë tjetër veç pronë e tij. Jo pa dhimbje e ndrydhje të zemrës, pa rrënqethje të mishit, paralelisht me leximin e veprës, na vijnë ndër mend tërë ajo gardë makabre partiako-shtetërore, me sekretarët e partisë, aktivistët e spiunët e lagjeve e oficerët e sigurimit që arrinin gjer aty saqë e fusnin ndokënd në burg edhe pse e kish gruan të bukur.

Pra, faqet e librit e zbulojnë dalëngadalë atë botë meskine, servile, prapaskeniste e njëherësh kriminale që rrafshon çdo vlerë njerëzore, botën komuniste të themeluar për gati 50 vjet edhe në Shqipëri. E ngjashme si dy binjakë me nazizmin gjerman diktatura e kuqe. Me sa duket autori shënon nazizmin e qëllon komunizmin, atë murtajë, që i mori rininë, familjen e gjithçka. Të joshte si kënga e sirenave, si pamja e mrekullueshme e Çirçeve dhe e tërë magjistareve, propoganda hitleriane apo ajo enveriane dhe pastaj ashtu si pakuptuar ta përdhoste moralin, ndërgjegjen e po të kundërshtoje të merrte dhe shpirtin nëpër katakombat e saj, siç veproi edhe me autorin duke e përplasur burgjeve të zeza.

Këtë “këngë” ndjellakeqe që shpërndan gjithandej jonet e vdekjes e ndien gjer në palcë kur lexon këtë vepër të Pjetër Arbnorit. Ndien gjithashtu edhe atë revoltë që duhet ta ketë frymëzuar aty në qelinë e errët kur ngjizte materialin jetësor për ta shndërruar në art. Kjo novelë tejet realiste me një ndjenjë të pakufishme humanizmi, që ndoshta askush nuk e priste nga një i persekutuar si Pjetër Arbnori (30 vjet burg), tingëllon si një aktakuzë e fuqishme për të gjitha kohërat e diktaturave, të atyre që kaluan e që mund të vijnë. Mjerë kulkturat e qytetërimet botërore përballë diktaturave! S’janë asgjë dyndjet e lashta të vikingëve, në krahasim me rroposjet që shkaktojnë diktaturat e monstrat e tyre, vikingët e rinj. Vdiq nazizmi, ra edhe komunizmi në Shqipëri, mirëpo rreziku i dyndjes së vikingëve ende nuk ka rreshtur. Prandaj titulli i këtij libri është njëkohësisht edhe një kushtrim për vigjilencë: kujdes, o njerëz, ruhuni nga vikingët e kohëve moderne!

Vërtet me pak faqe kjo novelë, por për nga idetë dhe mesazhi është një vepër dinjitoze që të kujton “Fati i njeriut” e Shollohovit, “Shkretëtira Tartare” e Dino Buxatit, “Plaku dhe deti” e Hemingueit, etj. Është si të thuash, një poemë për rezistencën e njeriut të nëpërkëmbur, të të gjitha kohërave, ndaj demonëve të natyrës apo të shoqërisë njerëzore. Njëkohësisht është edhe një sinjal i qartë që të jep të kuptosh se sa shumë ka humbur Shqipëria duke persekutuar talente të tilla si Pjetër Arbnori me shokë. Se mund të jenë me dhjetëra të tjerë ata që s’arritën kurrë ta thonë këngën e tyre, nga ferri i birucave qoftë edhe të vonuar.
Në fund të fundit ky libër është një befasi e këndshme dhe një fillim i suksesshëm që paralajmëron një ndihmesë të madhe, jo thjesht për lavdi vetjake të autorit, por në shërbim të kombit.

 

 

U këput një yll, Bilal Xhaferri

U KËPUT NJË YLL

Nga Shefki Hysa

Shënime për romanin “Krastakraus” të Bilal Xhaferrit

Në fillim të viteve tetedhjetë (1980), kur punoja në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Sarandës, fatmirësisht u njoha me Agim Maton, poetin e talentuar, të nëpëkëmbur e të mohuar nga ish-diktatura. Emrin e tij e shkruaj me respekt në krye të këtyre radhëve, jo vetëm se ishte udhërrëfyesi im i parë nëpër shtigjet e parrahura të letërsisë, por edhe për një arsye tjetër që më vonë do të ndikonte shumë në jetën time. Një ditë më ftoi në shtëpi për të më bërë një surprizë. Gërmoi midis librave të bibliotekës vetjake dhe nxori një libër të vogël, që në vend të kopertinës e mbështillte një copë kartoni.

- Lexoje, – më tha, – dhe do të mrekullohesh veçse, me një kusht: zëre se s’ke parë gjë e s’ke lexuar gjë! Duhet ta harrosh brenda mureve të shtëpisë sime egzistencën e këtij libri, po qe se e do, sado pak kokën tënde dhe timen…
E mora librin duardridhur prej emocioneve dhe, në faqen e parë, poshtë mbështjellëses prej kartoni që shërbente si maskim lexova: BILAL XHAFERRI “NJERËZ TË RINJ, TOKË E LASHTË” tregime.

Për mua, emër i padëgjuar gjer atëherë, megjithatë fillova t’i lexoja me etje tregimet. U befasova qysh në faqet e para. Prej radhëve të librit sikur frynte puhiza e ngrohtë e atyre ditëve të marsit që sjellin pranverën me bulëzimin e sytheve, mugullimin e gjethit të ri dhe çeljen e luleve të para pas zymtësisë së gjatë dimërore. Ndjeva të më lëkundej dimërthi brenda meje dhe akujt e shkaktuar nga acaret e përndjekjes komuniste krisën për të derdhur nëpër qënien time një valë rrëkesh pranverore.

 

Dalëngada1ë po më thëthinte të tërin lirizmi dhe ajo botë e tërë ndjenjash nga më të brishtat, nga më të këndshmet dhe më të befasishmet që po përjetoja si të isha zhytur i tëri në hapësirën e ndezur të një eposi. Si të eposit që ka krijuar fantazia popullore çame, ku gjallojnë heronj fluidë që i ngjajnë dashurisë dhe dhembjes, ëndrrave fluturake që e zaptojnë materien e botës në një grimëherë. Ç’ ishte ky Paustovsk që ndryhej në këtë libërth të humbur në morinë e librave socialistë?! Ç’ishte ky profet i harruar si në një manastir të largët e të vetmuar, ku fryjnë më shpesh erërat e vdekjes se të jetës?!

Ndihesha vërtet i mrekulluar. Atë botë artistike që ëndërroja të krijoja, po e gjeja pjesërisht të mishëruar në veprën e Bilalit. Them pjesërisht sepse, më pas, do mësoja se Bilali ishte një bilbil që s’arriti kurrë ta këndonte të tërën këngën e vet, si në atdhe edhe në mërgim ku u këput siç këputet papritmas një yll. Diktatura, ashtu siç po më gjymtonte mua, siç kish gjymtuar Agim Maton etj., vite më parë apo me saktë, në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë (1967-69) pat gjymtuar njëherë e përgjithmonë talentin e jashtëzakonshëm Bilal Xhaferri. Mjaftoi një kritikë dashamirëse që Bilali i bëri romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë, në një nga diskutimet e organizuara prej Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, dhe inkuizitorët e kuq e gjetën pretekstin për ta shpallur atë si heretik dhe veprën e tij herezi. E dëbuan nga Lidhja, pa dashur t’ia dinin për atë thesar që humbiste kombi. I hoqën të drejtën e botimit, po të shprehemi në mënyrë figurative, i prenë majën e gjuhës që artikulonte atë këngë që e ngrente në lartësitë e yjeve. E internuan në humbëtirat e Hamallës së Durrësit, përderisa një ditë Bilali u detyrua të arratisej e të mërgonte në SHBA, ku edhe gjeti përkohësisht “parajsën” e Robinsonit. Në mërgim veprimtaria e tij do të përmblidhej në “Krahun e Shqiponjës”, revistë e Lidhjes Çame. Po më tej? Ende nuk dihet plotësisht se cila ishte hapësira e dritës së këtij ylli të letrave shqipe, BilaI Xhaferrit. Vëllimi poetik “Lrishta e kuqe” iu shndërrua në karton ende pa dalë në dritën e botimit, romani “Krastakraus”, i rrallë për nga vlerat artistike e kombëtare, mbeti në dorëshkrim si dhe një pjesë e tregimeve dhe… Po tjetër, tjetër?!… Nuk e besojmë që të jetë vetëm kaq hapësira letrare e Bilal Xhaferrit, por edhe në qoftë kështu, është kaq origjinale dhe e spikatur vepra e tij saqë numri i vogël i titujve, nuk do t’ia zbehë asnjëherë atë ndriçim të magjishëm yllor. Për këtë të bind edhe romani “Krastakraus” që i jep në dorë lexuesit shqiptar Shtëpia Botuese “BILAL XHAFERRI”.

“Njerëz të rinj, tokë e lashtë” do të bëhej për mua si bibla, si kurani për besimtarët, sidomos kur mësova se një mal e ndante fshatin tim Shalësin prej atij ku kishte lindur Bilali. Ishte nga Ninati i Konispolit, farefis dhe pasardhës i të madhit Hasan Tahsini. Kaq pranë dhe kag larg e të panjohur! O perëndi! Ku na kishte katandisur lufta e klasave!

Bëra si bëra dhe me njëmijë e një marifete e hodha në dorë, më në fund, librin e Bilalit dhe e ruajta fshehtas si gjënë më të shenjtë, si një hajmali çudibërëse që më ruante prej rreziqeve që më ndillte magjistari shtrigan komunizëm. Ishte e vështirë dhe plot peripeci edhe jeta ime, si e Bilalit. Ndoshta kjo ngjajshmëri e dhimbshme dhe dëshira për t’i shpalosnr dikur vlerat e talentit të tij në sytë e njerëzimit, më ushqenin imagjinatën…

Këputet një yll, shket vetëtimshëm nëpër pistën qiellore dhe… Humbet?!… Zhbëhet?!… Harrohet?!… Në sytë e njerëzve po. Kështu edhe Bilali në sytë e bashkëkohësve u harrua. Mirëpo një yll që këputet nuk është e thënë të zhbëhet. Ndodh që thjesht i shmanget orbitës së vjetër për të ndriçuar në një tjetër orbitë. Dhe njerëzit kujtojnë se u shua, e harrojnë…

Për të nderuar veprën dhe kujtimin e emrit të Bilal Xhaferrit, për ta shkundur nga pluhuri i harresës, themelova shtëpinë botuese me emrin e tij. Vëmendja e atyre që e patën njohur dikur dhe e atyre që po e njohin nëpërmjet kësaj shtëpie botuese, është përqendruar tanimë edhe rreth dritës së këtij ylli të pashuar. Koha ia gjeti pozicionin e shmangies prej diktaturës. Ia gjeti kostelacionin yjor që i ndrin së ardhmes së kombit shqiptar…

Romari “Kastakraus” qëndron si një basoreliev i gdhendur mjeshtërisht në muret e ngrehinës artistike të shtëpisë botuese “Bilal Xhaferri”. Mirëpo nuk duhet nënvleftësuar largpamësia e zonjës Ballkiz Halili, e cila për vite me radhë rrezikoi për ta ruajtur veprën e pabotuar. I lavdëruar qoftë i madhi Zot që i jep mendjen e ndritur njeriut.

 

Letërsia, pas vdekjes

LETËRSIA, PAS VDEKJES!

Nga Shefki HysaSekretar i LSHA të Shqipërisë

Faraonë e firaunë
Politika shqiptare ka zgjedhur modelin faraonik të qeverisjes të marrë nga Egjypti i Lashtë, me të vetmin ndryshim se dikur aty qeveriste një Faraon, kurse në Shqipëri qeverisin njëherësh shumë faraonë të drejtuar (formalisht) nga Kryefaraoni. Dhe ky model është zgjedhur me konsensusin e plotë të Pozitës dhe Opozitës (kujtoni konsensuset e famshme të politikës sonë në çastet e sa e sa krizave që ka kaluar vendi ynë në epokën e postkomunizmit, pas vitit 1990).

Kurrë mos harroni se në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera, Mazhoranca e Minoranca janë një, prej njëra-tjetrës dallojnë sa për sy e faqe nga ngjyra e nga ashpërsia e debatit se kështu e kërkon Evropa demokratike (më saktë kështu i do mushka drutë). Pra, po ta zbërthesh hollë-hollë, Pozita e Opozita shqiptare, që janë të lidhura fort kokëposhtë e kokëlartë si portreti i derrit maç, qeverisin njëherësh e njëkohësisht dhe meqë kanë zgjedhur modelin faraonik, si model bashkëqeverisjeje (me konsensus), patjetër duhet të kenë faraonët dhe kryefaraonët e tyre. Dhe i kanë. Dhe i paçin me shëndet! I paçim edhe ne me shëndet (duam s’duam i kemi)!

Po pse kjo farë politike ka rendur gjer në Egjyptin e Lashtë dhe ka zgjedhur këtë model të vjetër qeverisjeje, do të habitet ndonjëri nga ju?! Mos u çudisni se edhe po u çuditët, çudia më e madhe thonë se zgjat vetëm tri ditë. Ideja është vërtet e vjetër, por, e përpunuar sipas stilit të politikës shqiptare, shfaqet si një realizim artistik bashkëkohor i shkëlqyer e tejet mbresëlënës që në radhë të parë kënaq e shfryn tërë egot politike pozitë-opozitë dhe lë me gojë hapur tërë politikanët e huaj që janë caktuar të monitorojnë zhvillimet faraoniko-demokratike në Shqipëri.

Të huajt e gjorë shokohen njëlloj si dje prej politikës komuniste shqiptare, edhe sot prej faraono-demokracisë sonë dhe të shtangur para kësaj gjetjeje origjinale, duke mos ditur ç’të thonë, veç tundin kokën të ekzaltuar: “Gut, gut! Shqiptarët janë në rrugë të mbarë, si gjithmonë në shtigje të pashkelura më parë!”…

Dhe kështu politika shqiptare (Mazho e Mino) qeveris rehat duke ngritur minipiramida e makropiramida në kurriz të popullit të vet punëtor të palodhur e të pafjalë. Vetëkuptohet secili faraon ndërton piramidën e tij. Dhe të gjithë faraonët të marrë sëbashku (Mazho e Mino) që nga piramidat e veta i përulen paksa lehtësisht qesëndisës Kryefaraonit (të emëruar prej tyre) të ngujuar në Kryepiramidën e tij për t’ju shmangur sa më shumë dallgëve të lakmisë faraonike që sundon gjithandej në Faraoninë-Shqipëri.

Faraonët nuk mund të qeverisin vetëm, jo se nuk duan, por nuk kanë aq tru. Dhe detyrohen të mbajnë një stan oborrtarësh me vete (të mirëpaguar), të cilët quhen ose janë firaunë (shqip: këshilltarë e avokatë të qoftëlargut). Firaunët, megjithëse rrinë në hije në prapaskenën e oborreve, janë pushteti i vërtetë i Faraonisë. Faraonët përkulin kokën, zgjatin veshët, dëgjojnë çuçurimat e firaunëve dhe pastaj ngrefen si meshkujt e pallonjve dhe japin verdiktin e tyre për të tashmen dhe të ardhmen e Faraonisë-Shqipëri. Nuk e kanë të vështirë të ndryshojnë e të rishkruajnë edhe të kaluarën e saj sipas këndvështrimit të tyre (më saktë të firaunëve). Pra, për fat të keq a të mirë, quajeni si të doni, dua s’dua unë, doni s’doni ju, Shqipëria qeveriset nga firaunët që rrinë bodrumeve si kobrat helmuese (kobra simbol faraonik).

Verdikti faraonik
Dhe u mblodhën kokë më kokë firaunët dhe nxorrën përfundimin se ekzistenca e letërsisë është vdekjeprurëse për përjetësinë e sistemit faraonik, se shkrimtarët duke qenë misionarë priren nga idetë e zhvillimit shoqëror, nga utopitë për të parë popullin sovran dhe jo faraonët e pushtetin e tyre. Si e tillë, letërsia duhet të vdiste dhe të zëvendësohej me një formë tjetër, grafomaninë, të mirëpaguar, të ngjajshme me të në paraqitje, por të ndryshme në thelb, në zemër. E kush e sheh zemrën e ndokujt në kohë të turbullta? Shihet veç dukja. Dhe grafomania në pamje do të ngjante me letërsinë dhe në zemër do të kishte të vetmen ide: përjetësimin e pushtetit faraonik shqiptar.

Dhe firaunët u çucuritën në veshë faraonëve dhe faraonët kryefaraonëve dhe kryefaraonët Kryefaraonit se letërsia postkomuniste shqiptare nuk duhet përkrahur e nxitur, përkundrazi duhet goditur, mallkuar e shpërfillur si krijesë heretike. Mor po tekefundit duhet deklaruar e vdekur, se nuk ka pasur ndonjëherë letërsi postkomuniste se edhe nëse ka shpërthyer ndonjë shkëndijë e saj ka qenë thjesht një manierë naïve e disa krijuesve naivë që e lanë e vdiq nga naiviteti e pakujdesia si një foshnjë të paushqyer mirë (për letërsinë në Kosovë, Maqedoni, Çamëri e në trevat e tjera shqiptare as që bëhet fjalë se ka ekzistuar ndonjëherë). Pra, letërsia vdiq! Kështu çuçuritën firaunët qesëndisës ndaj paditurisë së faraonëve, kështu përsëritën me kryet lartë edhe faraonë e kryefaraonë. Dhe Kryefaraoni deklaroi: Letërsia ka vdekur!

Dhe më vonë, pas këtij verdikti, në kohën e lirë të faraonëve, oborrtarët firaunë, ashtu si me lezet, arsyetojnë e u argumentojnë shefave të tyre se Shqipëria është ajo që është: një vend i varfër në ide, pa elita intelektuale, pa heronj, pa pasuri natyrale, i pazhvilluar ekonomikisht dhe që do të rritet e zhvillohet vetëm nën sundimin e ideve dritëdhënëse faraonike, se vetëm pushteti i faraonëve (i frymëzuar prej firaunëve) do të bëjë mrekulli në Faraoninë-Shqipëri. Qoftë i përjetshëm pushteti i tyre!

Dhe firaunët nuk lodhen së shtjelluari hipotezat e tyre, me dëshirën për t’i bërë sa më parë ligjësi të pushtetit faraonik. Dhe çuçurisin e çuçurisin e pretendojnë se edhe heronj si Skënderbeu kishin kusuret e tyre e nuk dihet nëse ishin a jo shqiptarë, po ashtu edhe rilindasit Naim Frashëri e compani, realistët Migjeni e compani…
Edhe ndonjë politikan si ai Ismail Qemali sikur e kishte të dyshimtë biografinë, Ahmet Zogu po e po, e shiti një copë Shqipërie, e kështu me radhë e me radhë.

E kështu nën arsyetimin e firaunëve zënë e zbehen të gjitha elitat dhe bien nga piedestalet e Panteonit të Kombit për t’u ngjitur lart ata: faraonë e firaunë, të vetmit shpëtimtarë të Shqipërisë. I përjetshëm qoftë pushteti i tyre!
Dhe firaunët pasi i shtrojnë, i shumëfishojnë e i publikojnë gjithandej hipotezat e tyre nëpër rrymat e padukshme të thashethemnajës për autenticitetin e dyshimtë të heronjve shqiptarë, nuk përtojnë të hidhen një vrap edhe te fqinjët tanë aq të dashur, grekë e serbë, të flirtojnë lumturisht me ta e t’u thonë se më në fund Shqipërinë e kanë katandisur në një shkretëtirë intelektuale, pa histori, pa të shkuar e të tashme origjinale. E ardhmja vetëkuptohet do t’u përkasë atyre, faraonëve e firaunëve, qoftë edhe nën hijen e Cezarit (shqip: grekëve e serbëve)!

Dhe grekët e serbët, të gjorët, të vënë në siklet prej firaunëve, për të mos ua prishur atyre (jo për gjë tjetër!), nëpërdhëmbin se nëse nuk i doni ju heronjtë tuaj, më saktë kur ju po i shpallni kopilë, le t’ua japim ne atësinë. Prishur mos qoftë!
Punë e madhe se po na vidhen heronjtë, historia. Jetojmë edhe pa histori, siç jetohet pa letërsi. Mjafton të jetë shëndoshë Faraonia! Dhe rroftë grafomania!…
Dhe kështu faraonë e firaunë e cezarë bëjnë e bëjnë pazare në kurriz të çështjes shqiptare me dëshirën e vetme të përjetësojnë pushtetin e tyre, qoftë edhe me mbështetjen e qoftëlargut.

Letërsi e vdekur a…
I nderuar lexues, me përulje të madhe po i thërras arsyes tënde që të mos e keqinterpretosh këndvështrimin tim për letërsinë shqiptare para se të lexosh edhe radhët e fundit të këtij shkrimi. E di se çdokush në pozitën e të painformuarit për gjendjen e vërtetë të letërsisë shqiptare, me të drejtë mund të ngrihet e të protestojë ndaj meje e të më turret e të më shfryjë e të ma përplasë në sy siç bëri edhe një miku im, i cili pa iu dridhur qerpiku më tha se ti, Shefki, po sillesh poshtërsisht, se po e viktimizon kaq shumë letërsinë shqiptare dhe se po merresh kaq gjatë me agoninë dhe me rekuiemin e saj, saqë nuk e meriton të jesh shkrimtar. Mor po bëri mirë shteti që ua mori ndërtesën e LSHA-së, një nga drejtuesit e së cilës ishe edhe ti, Shefki, që ke kurajën dhe thua se letërsia shqiptare ka vdekur…

Ç’të të them, i nderuar lexues, miku i keqkuptuar më bëri për ujë të ftohtë. Dhe një keqkuptim i tillë është rebelim ia paarsyeshëm e me pasoja. Mund të pranosh se çdokush i painformuar, njëlloj si ai miku im, mund të ngrihet e të mbrojë edhe hipotezën se letërsia shqiptare është shëndoshë e mirë dhe se deklarimi i saj si e vdekur është një paturpësi e padëgjuar ndonjëherë, një veprim aq i pamoralshëm e i çmendur, saqë nuk i lejohet as një hasmi. Mor po është veprim i hapur e i qëllimtë armiqësor, kështu m’u përvesh ai miku im, i nderuar lexues… Dhe zemrën ma bëri copë-copë… Dhe nuk i kisha asnjë faj…

Dhe ai, çdokushi, miku im e i juaji, i nderuar lexues, njëlloj si ai miku që përmenda, për kundër pikëpamjes sime mund të sjellë plot fakte sesi shteti ynë i dashur e do dhe e ka për zemër letërsinë, sponsorizon çeljen e panaireve të librit artistik atje te piramida e tij a QNK-ja (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës!), siç e quajnë zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, promovon botimet e Kadaresë (mor po është hapur edhe një librari e madhe në mes të kryeqytetit me emrin “Kadare”) dhe… dhe…

Mor po seç po promovohen edhe ca libra të tjerë të ca të tjerëve, më tha befas i hutuar miku im që nuk di se si e humbi papritur toruan dhe vrullin hakmarrës ndaj meje… Hë, pra të kujt tjetër se nuk po më kujtohet, o miku im, Shefki?!… Më kupto, i nderuar Shefki, se nuk po më kujtohen për momentin… Mor po seç janë ca emra, si të dëgjuar janë, por ja që nuk po më kujtohen për momentin, që thuhet nëpër televizione se kanë ca poste të larta dhe seç kanë shkruar dikur… Vërtet kanë shkruar dikur dhe vërtet që edhe unë diçka kam lexuar prej tyre, por ja që nuk më vjen asgjë ndërmend…

Të më falësh miku im, Shefki, se mbase s’u kam kushtuar edhe unë vëmendjen e duhur veprave të tyre a mbase janë vërtet aq të dobëta sa të mos më kujtohen?… Po pse t’i promovojë shteti atëherë të tilla krijime që nuk të ngulen në tru?… Të mos jenë letërsi e vërtetë?!… Po kjo është çmenduri e rrallë, mor Shefki?!… Pse të shkojnë paratë e shtetit, djersa jonë, djersa e taksapaguesve shqiptarë për të promovuar një letërsi që nuk është letërsi?… Përse djali im të mësojë vetëm broçkulla në shkollë për lloj lloj bylmezash që nuk janë shkrimtarë e që as vetë nuk e dinë se për çfarë shkruajnë dhe të mos mësojë ato që thonë veprat e Fishtës, Konicës, Xhaferrit?…

Përse djali im të mos mësojë se ç’thotë letërsia postkomuniste, siç e quan ti?!… Përse djali im dhe nipat e mbesat e mia të mos mësojnë se ç’është shkruar për Çamërinë pas vitit 1990 në ato librat e tu me tregime aq interesante, të cilat kur i kam lexuar kam qarë?!… Mor po për atë librin tënd me tregime “Aromë Çamërie” ka shkruar aq bukur edhe Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Visar Zhiti e të tjerë që nuk më kujtohen për momentin se m’u ka bërë truri dhallë?!… Pse shteti ynë nuk financon të tilla botime, po merret me të paqenit?!… Përse ky fat kaq i keq për fëmijët tanë?…

Po këta politikanët nuk kanë fëmijë?… Nuk u dhimbsen fëmijët e tyre që i çojnë në shkolla dhe mësuesit ua mbushin trutë me atë farë kashte që kanë tekset e letërsisë shqiptare, në vend që të kishin kokrrat e grurit safi të vërtetë, siç ndodh me tekstet e letërsisë në botën e qytetëruar?…
Pyet shtetin e jo mua, i dashur mik që më paragjykove aq shumë sa desh më mbyte me pështymë, pyet Ministrinë e Arsimit, pyet burokratët që drejtojnë bordet e librit artistik, në vend që t’i drejtojnë shkrimtarët e vërtetë, ia preva fjalën mikut tim, i nderuar lexues, po ku dëgjonte ai?!…

Të jenë shkresurina burokratësh, grafomanësh, me një fjalë libra kufoma, siç shprehesh ti, miku im, Shefki, këmbëngulte ai?!… Si thua ti, Shefki, se m’u ka bërë mendja çorbë ca nga që jam i revoltuar nga qëndrimi yt pak ekstremist e ca nga që nuk po e shpjegoj dot se pse u bëkan tërë këto promovime për vepra që nuk janë letërsi?!… Përse shteti dashka më shumë kashtën se sa prodhimin e grurit?…
Sidoqoftë mbi ato kufoma ngrihet vepra e Kadaresë dhe kjo mjafton që letërsia shqiptare të mos deklarohet e vdekur… Të mos abuzohet… Të lutem edhe ty, Shefki, të mos e teprosh me atë xhenazen e sajuar të letërsisë… Megjithëse tani që po e vras pak mendjen dhe po e gjykoj me gjakftohtësi atë maskaradë promovimesh për ata farë autorësh e librash që mund të flasin edhe për alienët e jo për ne shqiptarët e sotëm dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, pa dashur, të jap të drejtë ty dhe shqetësohem me qëndrimin e shtetit… Sidoqoftë kemi Kadarenë… Letërsia mbahet gjallë edhe vetëm me Kadarenë…

E gjallë a e vdekur?!…
Pra, letërsia mbahet gjallë edhe vetëm me Kadarenë… Kështu u justifikua dhe e mbylli gojën miku im… Po a është i saktë ky “postulat” i mikut tim, i nderuar lexues?!… Le të arsyetojmë së bashku, por së pari të më falësh, i nderuar lexues, që ta lodha gjykimin me qëndrimin e mikut tim. Mbase e teprova ca, por jam nisur thjesht prej dëshirës që të të kem aleat pikëpamjesh dhe jo të më paragjykosh padrejtësisht…

Po e vazhdoj më tej arsyetimin, i nderuar lexues, me mendimin se po e shohim problemin nga i njëjti këndvështrim. Nuk jam unë ai që dëshiron dhe deklaron vdekjen e letërsisë shqiptare, por firaunët e faraonët e shtetit… Nuk jam unë ai që shprehet nëpër ekranet e televizioneve se nuk ekzistojnë shkrimtarët dhe krijimtaria letrare postkomuniste, por ata, firaunët, që mundohen të argumentojnë se letërsia shqiptare mund të mbahet gjallë ende me Kadarenë dhe me lloj-lloj kufoma të socrealizmit, të cilët vazhdojnë t’i mbajnë me kimet, t’i financojnë e t’i propagandojnë (për vepra që nuk i njohin as ata vetë e të tjera që nuk janë shkruar kurrë) si monumente kulture që mbrohen nga shteti…

Pse këmbëngulin ata se “i fundit i mohikanëve” për letërsinë shqiptare është Kadareja (nuk kam asgjë kundër Kadaresë, për mua sot për sot është shqiptari më i madh, Ambasadori i Kulturës Shqiptare!)?… Fare e thjeshtë. Janë ata që mundohen t’i mbushin mendjen botës se Kadareja ishte një “aksident”, një rastësi në letërsinë shqiptare. Janë ata që pretendojnë se deshën dhe e sajuan për interesat e tyre mitin Kadare, se e financuan për të qenë simbol i socrealizmit dhe se kjo letërsi është e vertmja që ka lulëzuar denbabaden në këto treva. Lulëzoi se deshën ata dhe se edhe kjo rrymë letrare është e mbaruar, e vdekur pa Kadarenë (kupto: pa ata që e financuan). Letërsi tjetër nuk mund të ketë derisa të vendosin ata për ekzistencën e saj. Janë po ata që gjer dje çirreshin se Kadareja ishte spiun i francezëve, se e kanë blerë francezët, se… si rrjedhojë e këtij fakti nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë letërsi shqiptare (thonë ata). Shqiptarët nuk mund të bëjnë dot letërsi, po nuk deshën ata. Faraonë e firaunë.

Janë po ata faraonë e firaunë (të majtë e të djathtë) që me lloj-lloj shpifjesh janë munduar të zbehin vlerat e heronjve dhe elitave intelektuale shqiptare, për t’i thënë Cezarit të tyre (atij që i shesin interesat e Shqipërisë dhe që i mirëpaguan) se shqiptarët nuk meritojnë asnjë shans nga kjo botë, se janë një popull pa vlera, pa histori, pa kulturë, art e letërsi. pa të kaluar dhe të ardhme…

Ja pra pse sillen kështu politikanët tanë e mundohen të argumentojnë se letërsia e mirëfilltë ka vdekur, nuk ekziston… Mund të ekzistojë ajo që dëshirojnë ata…
Në këto kushte edhe mua askush nuk më ndalon të them: Është e drejta e politikës shqiptare t’i mbrojë ato farë “monumentesh”, ato farë kufomash, madje nisur edhe nga përvoja e saj faraonike, i sugjeroj t’i mumifikojë dhe piramidën e saj “QNK” ta shndërrojë në mauzole me eksponatet e mumjeve të tyre. Le të mirëpaguajë edhe ciceronë e t’i stërvisë që t’u shpjegojnë gjithë art faraonëve e kryefaraonëve shqiptarë ato farë vlera që bartin ato farë monumento-mumje për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen e Faraonisë së tyre.

Është një e drejtë me të cilën shteti justifikohet e motivohet se ia kemi dhënë vetë verbërisht! Është një e drejtë që i lind për faktin e thjeshtë se janë vetë shqiptarët ata që kontribuojnë për përjetësinë e kësaj farë politike faraonike. Atëherë le ta gëzojmë bashkërisht këtë farë politike që vendos sipas interesave të saj (jo tonave) se cila është e mira dhe e keqja për Shqipërinë…

Merruni me shtetin tuaj dhe timin, ju o miqtë e mi, mos u merrni me pikëpamjet e mia… Shteti ynë keqpërdor të ardhurat nga taksat e djersës sonë; unë, e shumta, mund të keqpërdor fjalën, një keqpërdorje që mund të sjellë vetëm keqkuptime pikëpamjesh e jo skllavëri, siç sjell keqpërdorimi i votave tona prej faraonëve e firaunëve të politikës…

Klinikisht e vdekur…
Terrori që ka ushtruar shteti faraonik ndaj shkrimtarëve dhe letërsisë më në fund e ka bërë punën e vet. Shkrimtarët e periudhës postkomuniste tashmë ndihen të anatemuar, të çorientuar, të lodhur, të shpërfillur, as të gjallë e as të varrosur. Dhe njeriu në agoni mendon më shumë për vdekjen se sa për jetën dhe veprën… Dhe firaunët kanë një lloj të drejte që përmendin vdekjen. Letërsia tashmë ka vërtet pamjen e një të vdekuri. Ka pësur një vdekje klinike. Firaunët e kanë fituar përkohësisht betejën me të. Dhe festojnë duke e trumbetuar vdekjen e letërsisë si dhuratë për shefat.

Megjithatë firaunët janë djallëzisht të zgjuar. Ndryshe nga shefat e vet, firaunët e dinë mirë se çdo të thotë e vdekur klinikisht. Vdekja klinike është një komë e gjatë, një errësirë shpirtërore dhe një rendje e shpirtit drejt një tuneli drite që të nxjerr në parajsë. Pra, letërsia në këtë periudhë është më pranë Zotit se kurrë (këtë e dinë mirë firaunët, por është një gjendje jashtë mundësive të tyre). Thonë se të vdekurit klinikë sodisin një copëherë parajsën dhe rikthehen në këtë botë me shpirt të pastruar dhe me dëshira më të mëdha për jetën, pasi kanë përjetuar ekzistencën e Zotit.

Edhe letërsia që po përjeton përvojën e Zotit dhe Parajsës, ndoshta do të rizgjohet shpejt. Do të rikthehet në jetë me ato forca e magji që zotëronte në zanafillën e saj. Mjerë faraonë e firaunë atëherë…

Aedët shqiptarë
Shkrimtarët shqiptarë do të rilindin, do të ringrihen e do të jenë të paepur si aedët, rapsodët e parë të njerëzimit. Aedët! A-E-dët! Aedët janë tingujt e parë të alfabetit, janë klithma e parë me tone muzikore e botës së njeriut, ehoja dhe jehona e saj. Janë britmë poetike, këngë dhe isoja e saj. Aedët janë ata që thurën eposin e Gilgameshit, kënduan të mrekullueshmet Nibelunget, sagat e para në kufi të legjendave për lindjen e fëmininë e njeriut dhe bashkëjetesën me perënditë e imagjinatës së tij, që rrëfyen e recituan bëmat e botës parahomerike dhe që me potencialet e tyre shpirtërore frymëzuan të madhërishmin Homer.

Aedët janë rebelët e parë ndaj naivitetit dhe monotonisë së jetës së njeriut primitiv. Janë jo vetëm artistë rapsodë, poetë e këngëtarë që thurnin, interpretonin e këndonin plot magji vargjet e tyre, por edhe dijetarët, filozofët, kronikanët, historianët dhe sociologët e parë të njerëzimit. Para talentit dhe pushtetit që u jepte zotërimi i magjisë së artit përuleshin prijës e mbretër, tërë të fuqishmit e botës paraantike. Para fuqisë së tyre u përul dhe u frymëzua edhe mbreti i mbretërve të botës njerëzore, i mrekullueshmi Homer!

Para aedëve të rinj shqiptarë të postkomunizmit dikur do të përulen se s’bën faraonë e firaunë dhe e gjithë ajo politikë e mbrapshtë që e ka pjellë tiraninë dhe terrorin e pushtetit të tyre, që ka uzurpuar e skllavëruar Shqipërinë. Para magjisë së letërsisë së tyre do të shemben e zhbëhen ngrehinat prej rëre të grafomanëve që vazhdojnë të gjallojnë e të mirëpaguhen për pseudokrijimet e tyre, që u kushtohen bëmave të Faraonisë, kësaj shkretëtire të përkohshme letraro-artistike që ka pllakosur Shqipërinë.

E DËNUAR ME VDEKJE NGA POLITIKA

E DËNUAR ME VDEKJE NGA POLITIKA

Nga SHEFKI HYSASekretar i LSHA të Shqipërisë

1.
Arsyeja nën thundrën e paarsyes

Politikat e të gjitha shteteve pa tru në të gjitha kohërat (që kur lindën shtetet e gjer sa të jetë jeta) e kanë dënuar me vdekje letërsinë dhe artin e vërtetë. Kështu, në dukje pa arsye, kanë vepruar edhe politikat shqiptare që nga fillimet e letërsisë dhe artit tonë e në vazhdim. Ec e merre vesh, arsyeja në jetë të jetëve nën thundrën e paarsyes…
E kotë shpresa se politikat postkomuniste do të ndryshonin mendim dhe do ta mbështesnin e do ta nxisnin zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqiptare (e veçojmë letërsinë jo paqëllim). Përkundrazi, kanë vepruar, veprojnë dhe do të veprojnë njëlloj si politikat simotra pa tru, të vjetra a të reja qofshin: “Letërsia e dënuar me vdekje!”
Dhe arsyeja e paarsyes dihet, letërsia e vërtetë me mesazhet që bart dhe përcjell nuk u ka shërbyer kurrë politikave (të mosndryshimit), por prirjeve të zhvillimit e përparimit njerëzor dhe si e tillë ka qenë, është dhe do të mbetet një nga opozitat e përjetëshme më të pakorruptuara e të pa kompromentuara.

Ndryshe nga arti, gjuha konvecionale e të cilit ka qenë, është dhe do të jetë e vështirë për t’u kuptuar nga injoranca e politikës, letërsia flet me gjuhën e njerëzve dhe sado të përpiqet për ta fshehur me mjete të figurshme atë që dëshiron të thotë, përsëri kuptohet (qoftë e kuptuar edhe me vonesë si barcoletat prej mendjes së policit) dhe mbetet e zbuluar dhe e rrezikuar në mëshirën e të pamëshirshmit paarsye. Pra, letërsia me gjuhën e saj të drejtpërdrejtë është jo vetëm kundërshtare e përherëshme e politikës, por herë-herë edhe armike e saj. Pikërisht nga kjo armiqësi me politikën ka lindur edhe termi “Letërsi Disidente” e Shkrimtar Disident”…

Në këtë shkrim që është një thirrje për ndihmë, një “SOS” për dashamirët që kanë veshë, sy dhe mendje të kthjellët, do të përpiqem të arsyetoj e të argumentoj me një gjuhë sa më të thjeshtë (të pëlqyeshme edhe për politikanët) se ç’po ndodh me letërsinë shqiptare këtë të dënuar të përjetëshme prej paarsyes së politikës.
Ky shkrim (të më falin studiuesit për pasaktësitë e mundshme, nëse gabimisht ka mbetur ndonjëri gjallë) ka vlera unikale vetëm për opinionin shqiptar, ka vetëm pasaportë shqiptare dhe nuk dihet nëse do të arrijë të marrë ndonjëherë vizë për jashtë shtetit në ndonjërën prej ambasadave a konsullatave të huaja në territorin shqiptar, kështu siç e ka katandisur Shqipërinë politika e mosarsyes (Letërsia dihet se është e burgosur)…

2.
Letërsia tekst i shkruar

Çdo krijim letrar që nga fjalët e urta, shprehjet e figurshme frazeologjike, proverbat, anekdotat, mitet, legjendat, gojëdhanat, përrallat, bejtet, vjershat, poezitë, tregimet, novelat, romanet, dramat, komeditë e më the e të thashë, janë vepra njerëzore ku përmblidhet me mençuri e art përvoja e një çasti, e një periudhe kohe apo e tërë jetës së një individi apo e një grupimi individësh. Nuk ka rëndësi nëse krijuesi është një individ anonim (populli) apo një individ i përveçëm, fjala vjen Homeri. Rëndësi ka fakti se krijuesi nëpërmjet krijimit ka shfaqur dëshirën për t’u përcjellë përvojën e vet atyre që e rrethojnë. E në këtë rast krijimtaria merr dashur padashur rolin e një testamenti. Dhe tanimë dihet (jo vetëm nga ligjvënësit e ligjzbatuesit) se një testament e ka vlerën e vet unikale e ligjore vetëm kur është i shkruar.

E si rrjedhojë, në mos gaboj, duhet të kenë qenë letrarët ata që kanë menduar të parët se duhej shpikur shkrimi për t’i shkruar tekstet e thënieve të tyre (artistët naivë e kishin më të thjeshtë: me bojën e gjakut të trupit sajonin nëpër faqe shpellash e shkëmbenjsh figurat e imagjinatës së vet dhe kështu u përcillnin mesazhet e shpirtit bashkëkohësve, pavarësisht sa kuptoheshin. Besoj janë kuptuar nga stërnipët e tyre arkeologë e studiues arti.) Dhe të gjitha gjasat të çojnë në përfundimin se ishin shkrimtarët ata që shpikën shkrimin.

Në mbështetje të kësaj hipoteze flasin edhe zbulimet e para të pllakave prej argjile me shkrimin e lashtë të sumerëve që dokumentojnë Epin e Gilgameshit, një ndër krijimet më të hershme e më mbresëlënëse të njerëzimit, nëpërmjet të cilit njihemi me historinë e zhvillimeve të jetës sa të qetë dhe konfliktuoze, dramatike e tragjike të atyre fiseve të lashtë parababilonas. Pra, Eposi i Gilgameshit, ky krijim popullor, kjo letërsi e fëmijërisë së njerëzimit, që shpreh tërë spekrin e ndjenjava të harkut dashuri-urrjetje, është tashmë një tekst i shkruar, një testament i përvojës njerëzore sumere që pasqyron artistikisht jo vetëm botën shpirtërore të krijuesit dhe të bashkëkohësve të vet, por edhe portretin e politikës që sundonte atë kohë. Pra, vini re, historia e ekzistencës së një politike sunduesi na vjen e shkruar dhe e pasqyruar nëpërmjet individit të sunduar, krijuesit, shkrimtarit, letrarit…

3.
Letërsia pasqyrë artistike e një realiteti kohor

Çuditërisht, shkrimtari, njeriu i nëpërkëmbur nga politika, shkruan tekstin e pasqyrës së një realiteti e në të vërtetë na del primari, në plan të parë, si forcë lëvizëse, zhvilluese, përparuese, edukuese, pra, në fakt, forcë vendimtare, ndryshe nga politika shtypëse që i pretendon tërë këto cilësi, i propogandon për demagogji dhe synon të kundërtën, prirjen për mosndryshim, statuskuo, stanjacion e më the e të thashë terma të tjera politike të kësaj natyre që i shërbejnë sunduesit për të bërë zap kundërshtarët, opozitën, “armiqtë” e përjetësisë së pushtetit të tij…
Kini parasysh: “Politika proletare në plan të parë!”… Kështu pretendonte deri dje diktatura komuniste shqiptare dhe dihet katastrofa që solli politika e saj e verbër e mosarsyes… Bëmat e Diktatorit dhe diktaturasve po harrohen dhe po lartësohen veprat e Kadaresë, Fishtës, Konicës, Xhaferrit e të tjerë shkrimtarëve të nëpërkëmbur… Diktatori dhe diktaturasit tashmë janë thjesht karaktere-demonë të përshkruar nëpër faqet e veprave të këtyre shkrimtarëve jetërrezikuar…

Ja si rrodhën ngjarjet dhe ndryshuan përgjithmonë raportet politikë-letërsi. Janë ndryshuar aq rrënjësisht e diametralisht në të kundërt saqë sikur të ishte e mundur e të ngjallej Diktatori nuk do të mund ta besonte kurrë se madhështia e tij e dikurshme një ditë u mpak e shndërrua në ca radhë të një teksti letrar. U bë fragment i asaj letërsie që politika e tij komuniste e dënoi me vdekje, siç dënoi edhe vetë autorët e saj, Bilal Xhaferrët… Pra, e mbisundoi gjatë paarsyeja arsyen, politika letërsinë. Mirëpo ja që vjen një ditë dhe rivendoset rregulli, mbizotëron arsyeja, mbizotërojnë ligjet e Zotit… Letërsia e shndërron politikën thjesht në lëndë të parë prodhimi, në material artistik… Dhe nëpër perandoritë artistike mbretër e perandorë të vërtetë janë shkrimtarët, politikanët janë thjesht plebej ashtu siç meritojnë të jenë në jetë të jetëve… Këtë e harrojnë tërë politikat në pushtet… Harrojnë se nuk janë jetëgjata perandoritë pushtuese… Këtë fakt e kanë harruar edhe politikat shqiptare konuniste dhe postkomuniste…

Po ju sjell një argument tjetër, veprën e Homerit. Ishte ky gjeni i Antikitetit që përshkroi në veprën e vet gjigande në mënyrën më të përsosur artistike historinë e zhvillimeve të shoqërisë njerëzore në Greqinë e Lashtë dhe në shtetet përqark saj.
Nëpërmjet veprës homeriane, kësaj pasqyre artistike të mrekullueshme, ne me imagjinatën tonë shohim si në një film realitetin e jetës së stërgjyshëve të njeriut modern dhe bindemi se psikologjia e jetesës në kohët e vjetra ishte pak a shumë ajo e sotmja, pavarësisht nga mjetet e veglat e punës dhe armët primitive të luftës. Shoqëria njerëzore e dikurshme, njëlloj si edhe sot, sundohej nga politika që luftonte me të gjitha mjetet e padrejtësisë për pasuri e pushtet në kurriz të varfërisë së shtetasve të vet dhe të popujve fqinjë. Dhe po të analizosh me kujdes veprën e Homerit, del në përfundimin se politikanët e sotëm nuk u lënë asgjë mangut Menelaut, mbreti spartan, Akilit, Patroklit apo cilitdo luftëtari zulmëmadh të testamenteve artistike të kohëve të shkuara… Homerët e të gjitha kohëve ishin të detyruar prej sunduesve që të merrnin rolin e të sunduarve, e të shtypurve, e të përbuzurve dhe jetërrezikuarve, megjithëse ishin mbretër e shkuar mbretërve me mendjen e artë që u kishte falur Zoti. Ndonjëherë përfundonin edhe në pozitën e skllavit, pa asnjë të drejtë mbi jetën e tyre, si Ezopi. Përfundonin edhe pa kokë si shkrimtarja çifute Ana Franku e masakruar prej nazistëve hitlerianë…
Mos vallë ka ndonjë ndryshim të madh midis Menelaut dhe Hitlerit?!… Nuk e besoj… Si njëri dhe tjetri janë dy heronj demonë të përshkruar mjeshtërisht nëpër veprat e Homerëve, të cilat i studiojnë nëpër shkolla dhe edukohen me aq dëshirë gjithë fëmijët e botës, si ata që do të bëhen politikanë të padrejtë dhe ata që udhëhiqen nga prirjet homeriane për t’u bërë shkrimtarë, letrarë të përbuzur e jetërrezikuar prej politikës…

4.
Letërsia mision

Politika rrënon shoqërinë njerëzore me paarsyen e vet. Sillet barbarisht me çdo vlerë që buron prej arsyes së Zotit, dhunon elitat intelektuale, masakron tërë individët mendjendritur që u tregojnë udhën e së vërtetës njerëzve të thjeshtë, me qëllim që ata, të verbuar e të varfëruar, t’i kthejnë sytë vetëm nga politika e politikanët dhe të adhurojnë fuqinë e Pushtetit dhe të pasurive të familjeve të tyre… Nuk e besoni?!… Atëherë le t’u drejtohemi fakteve. Për gati pesëdhjetë vjet Diktatori shqiptar luftoi me të gjitha mjetet kultet e Zotit, varfëroi ekonomikisht dhe mendërisht shqiptarët, sajoi një çelës kopil, Njeriun e Ri, që mbyllte të gjitha dyert e dijes, dhe u mundua të rrënjosë në kujtesën e programuar të këtij përbindshi kultin e udhëheqësit komunist si çlirimtar i botës. Familja e Diktatorit lulëzonte në luks, ishte pronare e gjithë Shipërisë, ndërkohë që Njeriu i Ri punonte si skllav e nuk e mbushte kurrë barkun me bukë… Internoi, burgosi dhe pushkatoi tërë inteligjencën që nuk i bindej ideologjisë së tij. U hoqi të drejtën e botimit shkrimtarëve që mendonin ndryshe, censuroi dhe ndaloi botimin e veprave të tyre dhe të sa e sa shkrimtarëve përparimtarë botërorë që rrezikonin jetëgjatësinë e Pushtetit të tij me idetë e tyre demokratike antikomuniste.

Shkrimtari Ismail Kadare, intelektuali më i shquar i viteve të diktaturës, ndoshta shumë herë më i mençur edhe se vetë Diktartori, një ndër shqiptarët më të përkëdhelur dhe më të rrezikuar njëherësh, ishte dhe nuk ishte pronar i një apartamenti tre plus një në një kohë që sipas ligjeve të Zotit, për mençurinë dhe intelektin që zotëronte, mbase i takonte të ishte dhe qytetari i parë i Shqipërisë… Nuk ishte dje se e shtypte Hija e Diktatorit, por do apo nuk do politika, është sot. Skrimtari Ismail Kadare është Ambasadori i Vërtetë i Kulturës Shqiptare në Botë…

Shkrimtarët janë si profetët. Me fjalët, sjelljet, veprimet dhe veprën e tyre, në mënyrë të drejpërdrejtë apo të nënkuptuar, sado të nëpërkëmbur dhe të rrezikuar nga politikat, parathonë fatin e një shoqërie… Pra janë misionarë dhe vepra e tyre është një mision më vete. Homeri paratha fundin e Antikitetit të kapërthyer nga intrigat politike dhe ethet e luftërave për Pushtet e pasuri në kurriz të njerëzimit. Homerë të tjerë parathanë fundin e Romës dhe të perandorive të mëvonshme… Lexojmë veprat e tyre dhe përveç kënaqësisë estetike dhe interesit emocional që na zgjojnë, marrim dije e informacion mbi historinë dhe tentencat e zhvillimeve njerëzoje nëpër shekuj, mësojmë për kulturën e vendeve dhe të popujve të ndryshëm, për individë udhëheqës dhe heronj, për gjuhën, psikologjinë e konstruktin e tyre shpirtëror e sa e sa fakte e argumente mbi ekzistencën, dallimet dhe përafritë e racave njerëzore në botë…

5.
Shkrimtari misionar

Pra, nga mënyra se si pasqyron realitetin shoqëror dhe tendencat e zhvillimit, letërsia shfaqet si një mision dhe shkrimtari si një misionar fisnik që me veprën e tij mundohet të emancipojë shoqërinë njerëzore. Po sa mund dhe sakrifica i duhen një misionari për të përballuar me sukses ngarkesën e një misioni?! Dihet se Krishti u kryqëzua nga politika bashkëkohëse, njëlloj jetërrezikuar kanë qenë edhe shumë profetë të tjerë para dhe pas Krishtit gjer te Muhameti, të cilit ia shpëtoi jetën sa e sa herë vetë i Madhi Zot. Misionet e misionarët e krishtetë kudo në vendet e pazhvilluara si në Afrikë e gjektë edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të rrezikojnë të përdhunohen e të humbasin edhe jetën nën thundrën e politikave të paarsyes, njëlloj si gazetarët e shkrimtarët në vijën e parë të luftërave e konflikteve rajonale nëpër botë. Sakrifikohen profetë e shkrimtarë e askush prej tyre nuk tërhiqet nga misioni për të parathënë fundin e një politike të caktuar.

Krishti paratha fundin e Perandorisë Romake dhe gjithçka se çdo të ndodhte më vonë në botë, pavarësisht se qëndrimi i tij nuk u pëlqeu romakëve dhe e kryqëzuan.
Fishta, Konica, Xhaferrët, Blloshmët, Nelajt shqiptarë u rebeluan kundër politikës diktaturase komuniste dhe e paguan kush me syrgjyn e kush me jetë veprimin e tyre. Letërsia e tyre u burgos nëpër kasafortat e arkivave dhe një pjesë e mirë e saj ende nuk po e sheh dritën e botimit që fëmijët tanë të mësojnë prej të vërtetave të saj dhe jo prej mashtrimeve e zbukurimeve që serviri për pesëdhjetë vjet letërsia e oborrit komunist.

Përse u dashka që në tekset e letërsisë shqiptare të shohim ende vetëm sajesa letrare me “bëmat heroike dhe fitoret e lavdishme të komunizmit”?! Kujt i intereson që t’u servirë ende pasardhësve të Fishtës, Konicës e Xhaferrit bëmat e persekutorëve të tyre të përshkruara me aq delir nga grafomanët e epokës komuniste?!
Po letërsia postkomuniste?!… Përse nuk nxitet e financohet, por heshtet për të njëlloj si për letërsinë disidente?!… Dhe ç’është më e keqja pengohet (e kini parasysh se si u soll politika me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë)!

Nuk e di arsyen, por ndoshta kjo statuskuo i vjen për shtat edhe Ministrit të Kulturës, i cili del në ekranet e televizioneve dhe me poza prej Neroni, deklaron plot kompetencë se në Shqipëri nuk ka më shkrimtarë e letërsi, nuk ka krijimtari letrare postkomuniste dhe se “të fundmit e mohikanëve” na paskan qenë Kadareja e Agolli dhe mjaft! Dhe këtë “fakt” mundohen ta argumentojnë edhe oborrtarët e tij, ata që e ëndërrojnë letërsinë si lopë që mëkon me qumësht dëshirat e veta dhe të fëmijëve të tyre dhe e përfytyrojnë shkrimtarin si bari të tufës të emëruar e të paguar prej padronit. E njëjta psikologji dhe politikë diktaturase si e djeshmja dhe mjaft!…

6.
Letërsia lopë qumështore që mëkon…

Në të vërtetë letërsia është edhe lopë me qumësht dietik që në mungesë të qumshtit të nënës përdoret për të mëkuar fëmijën. Dihet se nënave që u thahet gjiri përdorin qumështin e lopës për të mëkuar të vegjlit dhe jo qumësht dhie, gomarice e më the e të thashë… Pra, letërsia njëlloj si lopa ka veti ushqyese, ushqen shpirtërat njerëzorë, i rrit ata të shëndetshëm, i ushqen me të vërtetën e tendencave të zhvillimit shoqëror, pikërisht me atë ushqim që nuk i intereson politikës… Këtu kanë zanafillë dhe abuzimet e politikës…

S’dihet sesi (vetëkuptohet rastësisht!) Bilal Xhaferri në vitet ’60 mundi të botonte në gazetën “Zëri i Rinisë” vjershën “Baladë çame”, një himn i vërtetë si “Marsejeza”, kushtuar Çamërisë martire, çështjen e së cilës politika komuniste e varrosi, njëlloj edhe ajo e sotmja: trembet ta mbështesë. Xhaferri e pësoi, u syrgjynos prej politikës, por ushqeu e mbajti gjallë gjatë shpirtërat atdhetarë me atë baladë që edhe sot kushtron në mendjet e intelektualëve që mbështesin zhvillimet e çështjes kombëtare shqiptare. Politika edhe sot nuk ndihet rehat dhe nxihet në fytyrë kur dëgjon “Baladën çame”, i intereson më shumë statuskuoja e vendosur dikur njëanshmërisht në marrëdhëniet me Greqinë, sesa ndonjë zhvillim i papritur i çështjes çame. Pra, arsyetoni, “Balada çame”, ky qumësht i “letërsisë-lopë” kaq mëkues për atdhetarët, i tmerron politikanët, të cilët për të ruajtur politikën e mosndryshimit, ose do ta rrëmbejnë lopën dhe do ta mbarështojnë në stallat e tyre, duke ndërhyrë në gjenet e saj për ta përshtatur gjenetikisht sipas interesave (letërsia e oborrit komunist a socrealizmi), ose do ta ngordhin me lloj-lloj mënyrash atë dhe bariun e saj (të paemëruarin zyrtarisht!), siç ngordhën dikur Fishtën, Konicën, Xhaferrin, shkrimtarë të etnisë shqiptare.

Pra, politika me lloj-lloj mjetesh propagandistike demagogjike a të dhunës së Pushtetit të vet ndërhyn dhe e tjetërson gjenetikisht letërsinë, e metamorfozon në një OMGJ shterpë, pavarësisht se rrënon vlerat e vërteta letrare kombëtare dhe i degdis në thesin e antivlerave, mjafton që të përmbushë interesat e militantëve dhe të trashëgimtarëve të saj. Kështu mjetet, format, mënyrat dhe medodat nepotike të pushtetit politik dominojnë edhe procesin artistik, duke dëmtuar mekanizmat dhe ligjësitë reale të krijimit letrar, duke e shndërruar krijimtarinë në një kllounado-bufonadë dhe gjithçka përfundon në një farsë të shëmtuar që i serviret lexuesit të sunduar dhe fëmijëve të tij si një vlerë e rrallë, “shenjtëria” e së cilës buron nga maja e piramidës shtetërore.

Me shkrimtarët, duke qenë të varfër ekonomikisht, politika merret edhe më lehtë. I fton të lënë mënjanë misionin e tyre të vërtetë dhe t’u këndojnë bëmave e heroizmave të saj, ose në të kundërt, po nuk u bindën, i shpërfill, ua poshtëron dhe ua mohon vlerat dhe në vend të tyre emëron edhe pseudoletrarë të mirëpaguar prej saj (shikoni “Tirana Observer”, datë 31.08.2007, “100 shkrimtarët më të mirë shqiptarë”). Ata dhe vetëm ata, të mirëpaguarit, e bëjnë përsosmërisht rolin e zagarit dhe të lopçarit, duke i shërbyer letërsisë-lopë sipas katalogut metodik të parapërgatitur nga këshilltarët militantë shtetërorë (të mirëpaguar edhe ata).

Në procesin e metamorfozimit të lopë-letërsisë, qumështi i së cilës destinohet vetëm për elitën zyrtare dhe trashëgimtarët, tekefundit kurorëzohet qëllimi i politikës: letërsia hyn në oborr dhe si një oborrtare e përulur u thur lavde e hosanara monarkëve e bijve, pavdekësisë së pushtetit të tyre komunist e neokomunist.
E kështu në rrjedhën e këtij procesi të sofistikuar bijtë monarkë dhe bijtë e politikanëve përgatiten për t’u dekretuar dhe dekretohen edhe vetë ata si letrarë e artistë (shembuj mund të gjeni sa të doni, po t’u drejtoheni mbiemrave që kanë uzurpuar mediat dhe institucionet zyrtare kulturore e letraro-artistike shqiptare që prej vitit 1945 e në vazhdim)…
E kështu letërsia shqiptare është tanimë përballë dy alternativave: një e dënuar me vdekje, ose një lopë e politikës…