MË KOT

Ëndërroj pranverën si një mjeke të mirë,
Dimrat e jetës më ngurosën me thëllim,
Më vjen në sy fustanblertë, e fërfërirë,
Shpirtin ma ngroh, ma mbush me lulëzim.

Eh, dimrat plot acar, të egër e vajtues
Në trup e shpirt më fshikulluan pa mëshirë!
Isha djalosh çapkën, mentar e ëndërrues
Dhe ja ku jam: vetëm një plakush i mërdhirë.

Isha luftëtar bredharak brigjeve të jetës
Prijës i paepur aventurë më aventurë,
Ej, xhaxhush, më ngacmojnë tani vajzat
Zemra më dhemb që s’dashuroj dot si dikur!…

Ëndërroj pranverën si një mjeke të mirë…

SI MË IKU RINIA

Shumë vonë e kuptova
Si më iku rinia kështu?!…

Ndryshe nga miqtë,
Oh, si ndihem,
Si njëbrirësh tmerrësisht i lënduar,
Nga e dashura pabesisht i tradhtuar!…

Dhe tallem me vete:
Nuk të njoh, o rrudhak
Nuk e di se cili je!…
Dhe prehje s’gjej,
Herë optimist, herë i dëshpëruar
Herë i qeshur, herë i trishtuar,
Herë i ngratë, herë zemëratë,
I zhgënjyer dhe zhgënjyes,
Rallë me shokë,
Më shpesh me shpirtin tim të vetmuar…

Si më iku rinia kështu?!…

VAJZAT

Janë të mbushura plot me dashuri vajzat.
Shpirtrat e tyre
zgjojeve të bletëve u ngjajnë,
hoje-hoje plot me mjaltë.
Është mjalti i dashurisë,
Vetë dashuria-mjaltë.

Vajzat e dlira
Janë vetë dashuria.

Në kërkim të shpirtit binjak,
Të imazhit mashkullor të dashurisë,
Dikur vajzat,
Në dehjen e moshës,
Dashurojnë ariun me lëkurë ylberi.

Me tërë meloditë e lajkës në gojë,
Ariu i thur himne dashurisë,
Brohoret
E betohet:
“Jam shpirti yt binjak,
Jam vetë dashuria!”…
Jehon betimi gjer në kupë të qiellit.

Nga pamja
Gënjehen vajzat,
Në farfurima ylberi dremisin.
Në përgjumje,
Në prehrin e gënjeshtrës sakrifikojnë dlirësinë.
Sigurisht për dashurinë!…

Dhe zgërdhihet ariu
Duke lëpirë putrat
Me hojet e copëtuara të dashurisë…