Warning: call_user_func_array() expects parameter 1 to be a valid callback, function 'wp_maybe_load_embeds' not found or invalid function name in D:\Hosting\11719628\html\shefkihysa.com\wp-includes\plugin.php on line 429
Krahu i Shqiponjës | Shefki Hysa
Krahu i Shqiponjës 

Vizito Krahu i Shqiponjës – Blog

Krahu i Shqiponjës është revistë në gjuhën shqipe, e botuar në Shqipëri në vitet e demokracisë, që synon të promovojë sa jetën shoqërore artistiko-letrare, po aq edhe t’i shërbejë një qëllimi të lartë kombëtar, si edhe të mbrojë grupe të pafavorizuara të shoqërisë së Ballkanit. Udhëheqësi shpirtëror i saj ishte dhe mbetet Bilal Xhaferri.

Historiku
Krahu i Shqiponjës ishte revistë politike, kulturore, letrare dhe shoqërore e botuar për herë të parë në tetor të vitit 1974, në dy gjuhë, shqip e anglisht, si organ i Lidhjes Çame, në Çikago të SHBA. Themeluesi, botuesi dhe drejtuesi i saj ishte Bilal Xhaferri, poet, prozator dhe publicist i shquar disident, i cili u lind më 2 nëntor 1935 në Ninat të Konispolit, Çamëri, dhe pas një veprimtarie të madhe letraro-publicistike, vdiq në mërgim (i arratisur nga Shqipëria më 1969 si nacionalist antikomunist) më 14 tetor 1986 në Çikago të SHBA.

Krahu i Shqiponjës
“Krahu i Shqiponjës” ishte një tribunë e mendimit të lirë demokratik me prirje thellësisht antikomuniste, antidiktatoriale e antienveriste, që synonte bashkimin e tërë forcave politike shqiptare në mërgim, unifikimin e mendimit, programeve dhe qëllimeve të tyre për një Shqipëri të Lirë Properëndimore.

Në faqet e revistës trajtoheshin gjerësisht problemet kombëtare shqiptare, veçanërisht çështja çame, problemi i Kosovës, i territoreve të tjera të mbetura jashtë trungut amë, Shqipërisë, si dhe problemet e komuniteteve shqiptare nëpër botë e të Diasporës.

Bilal Xhaferri arriti të botonte 39 numra.

Që në vitin 1995 e në vazhdim “Krahu i Shqiponjës” vazhdon të botohet në Tiranë, si organ i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri” (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) themeluar e drejtuar prej gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Shefki Hysa, i cili inicoi rikthimin në Shqipëri të eshtrave të Bilal Xhaferrit si dhe lartësimin e vlerave të jashtëzakonshme të kësaj figure të rallë të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish diktaturës komuniste shqiptare.

Krahu i Shqiponjës
Në faqet e revistës, midis shkrimeve që mbrojnë çështjen kombëtare shqiptare, sidomos problemin çam, janë botuar shpesh edhe artikuj e krijimtari e zgjedhur nga personalitete të letrave shqipe si: Bilal Xhaferri, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Jakup Mato, Martin Mato, Namik Mane, Pjetër Arbnori, Arben Çokaj, Shefki Hysa, Vath Koreshi, Visar Zhiti etj., si edhe autorë të mirënjohur botërorë: Xhek London (Jack London), Zhan Pol Sartri (Jean-Paul Sartre), Alfred de Musset, Edgar Allan Poe, e shumë të tjerë.

Një vend të veçantë në faqet e kësaj reviste kanë zënë dhe do të zënë autorët e huaj, që janë marrë posaçërisht me çështjen e çamëve, si Miranda Vickers, Hillary Clinton, James Pettifer, etj.

Shefki Hysa, në cilësinë e Botuesit dhe Kryeredaktorit të kësaj reviste, me kontributet e veta dhe të miqve të tij, ka arritur të nxjerrë më shumë se 100 numra dhe vazhdon me këmbëngulje ta mbajë lart këtë piedestal të mendimit të lirë në vazhdën e idealeve të Bilal Xhaferrit.