Warning: call_user_func_array() expects parameter 1 to be a valid callback, function 'wp_maybe_load_embeds' not found or invalid function name in D:\Hosting\11719628\html\shefkihysa.com\wp-includes\plugin.php on line 429
Përkthime | Shefki Hysa

Përkthime nga Shefki Hysa
MACJA E ZEZË

Edgar Allan Poe

Pjesën më të madhe të tregimeve që unë do të shkruaj, as nuk pres dhe as nuk kërkoj që t’i besoni. Do të isha i marrë po të prisja diçka të tillë, vetëm në rast se ndjesitë e mia do t’i hidhnin poshtë vlerat e tyre. Por nuk jam ende i marrë dhe sigurisht që nuk shoh të tilla ëndrra. Megjithatë nesër do të vdes, prandaj sot unë duhet ta zbras shpirtin tim.

Qëllimi im i tanishëm është që të paraqes para botës, thjesht, në mënyrë të përmbledhur dhe pa koment një seri ngjarjesh që më kanë ndodhur në shtëpi. Pasojat e këtyre ngjarjeve më kanë tmerruar, më kanë torturuar, më kanë shkatërruar. Por sidoqoftë unë nuk do të bëj asnjë përpjekje për t’i shpjeguar. Për mua ato kanë përfaqësuar më shumë se tmerr, për të tjerë do të duken mbase më pak të tmerrshme se përbindshat. Pas kësaj, ndoshta, do të gjenden disa mendje të ndritura që do ta lidhin fantazmën time me vendodhjen e rëndomtë, disa mendje më të qeta, më të logjikshme dhe më pak të ndjeshme se e imja, që do të perceptojnë ato rrethana, që unë me shumë frikë do paraqes, asgjë më shumë se sa një varg shkaqesh dhe pasojash të natyrshme.

Qysh në fëmijëri, unë dallohesha për urtësinë dhe humanizmin e natyrës sime. Butësia e zemrës sime ishte kaq e dukshme, sa shokët shpesh më vinin në lojë. Unë isha veçanërisht i dhënë pas kafshëve dhe prindërit ma kishin plotësuar dëshirën me një shumëllojshmëri të tyre. E kaloja pjesën më të madhe të kohës me to dhe asnjëherë nuk isha më i lumtur se kur kujdesesha dhe i ushqeja. Kjo veçanti e karakterit u rrit së bashku me mua dhe në botën time mashkullore ajo ishte një nga burimet kryesore të kënaqësisë. Për të gjithë ata që kanë ushqyer dashuri për një qen besnik dhe të zgjuar, unë nuk do të lodhesha për të shpjeguar natyrën apo intensitetin e kënaqsisë që buron nga diçka e tillë. Ka diçka në dashurinë e pastër dhe vetëflijuese të një kafshe që shkon drejt e në zemrën e atij që ka patur raste të shpeshta për të testuar shoqërinë e pavlerë dhe besnikërinë e paqëndrueshme të njeriut të zakonshëm.

Unë u martova herët dhe isha i lumtur që gjeta tek gruaja një prirje jo të ndryshme nga imja. Duke parë dashurinë time për kafshët shtëpiake, ajo nuk vonoi të gjente ato të llojit më të këndshëm. Ne kishim zogj, një peshk të kuq, një qen të vogël, lepuj, një majmun të vogël dhe një mace.
Kjo mace, më vonë, u bë një kafshë e madhe dhe shumë e bukur, krejtësisht e zezë dhe me një zgjuarësi mbresëlënëse. Kur fliste për mprehtësinë e saj, gruaja ime, edhe pse nuk ishte supersticioze, i referohej mendimit të vjetër popullor që i konsideronte të gjitha macet e zeza si shtriga të maskuara. Jo se ajo e kishte me gjithë mend kur fliste në këtë mënyrë, por nuk ka çast më të mirë se ky për ta rikujtuar thënien e saj.

Pluto, ky ishte emri i maces, ishte kafsha ime e preferuar. Unë e ushqeja dhe ajo më ndiqte kudo nëpër shtëpi. Me shumë vështirësi, arrija ta ndaloja të më ndiqte edhe në rrugë.
Miqësia jonë zgjati kështu për vite më rradhë, gjatë të cilave karakteri dhe temperamenti im i përgjithshëm, përmes veprimit të papërmbajtshëm të Djallit, (duhet ta pranoj), pësuan një ndryshim rrënjësor. Unë bëhesha ditë pas dite më i ngrysur, më i irrituar dhë më pak i ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve. I lejoja vetes të përdorja edhe një gjuhë jo të hijshme ndaj gruas time. Shpesh herë përdorja edhe dhunë ndaj saj. Kafshët e mia, sigurisht, e ndjenë këtë ndryshim të natyrës sime. Unë jo vetëm i lija pas dore, por edhe i keqtrajtoja. E ndërsa për Pluton tregoja ende një kujdes të veçantë, që më pengonte ta keqtrajtoja, nuk më vinte keq të dhunoja lepujt, majmunin, madje edhe qenin, kur rastësisht ose në shenjë dashurie më vinin pranë. Mirëpo sëmundja po më pushtonte të tërin. Sëmundja është si alkoli dhe pas ca kohe, edhe Pluto që po plakej dhe rrjedhimisht bëhej edhe nga pak grindavec, filloi të ndjente efektet e karakterit tim të keq.

Një natë, teksa po kthehesha në shtëpi i dehur nga një pijetore në qytet, mu duk sikur macja po e shmangte praninë time. E mbërtheva fort, kur ajo, e frikësuar nga dhuna ime, më kafshoi dorën me dhëmbë. Papritur, tërbimi i një djalli më rrëmbeu tërë qenien. Nuk po e njihja më veten. Shpirti i vërtetë mu duk sikur më fluturoi nga trupi dhe diçka më e fortë se një dashakeqësi djallëzore, e ushqyer edhe nga xhini që kisha pirë, më pushtoi çdo qelizë. Unë mora nga xhepi i jelekut një biçak, e hapa, e mbërtheva kafshën e gjorë nga fyti dhe me kujdes i nxorra njërin sy nga zgavra. Tani më vjen turp, dridhem, më rrënqethet mishi ndërsa shkruaj për këtë veprim. Në mëngjes, kur arsyeja mu rikthye e kur e kisha marrë veten nga zemërata e natës së kaluar, përjetova një ndjenjë gjysmë tmerri dhe gjysmë pendimi për krimin që kisha kryer. Por ajo ishte një ndjenjë e dobët e ekuivoke dhe shpirti më mbeti i paprekur. Fillova ta teproja sërish dhe pa u vonuar i mbyta me verë të gjitha kujtimet e fajit tim.

Gjatë kësaj kohe, macja gradualisht e mori veten. Zgavra në syrin e humbur kishte një pamje të frikshme, është e vërtetë, por me sa dukej nuk po provonte më dhimbje. Lëvizte rreth shtëpisë si zakonisht, por siç mund të pritej, shumë larg meje. Unë fillimisht sikur u zemërova nga kjo shpërfillje nga ana e krijesës që dikur më kishte dashur aq shumë. Por kjo ndjenjë, shumë shpejt, ia la vendin irritimit. Dhe më pas, si pjesë e këtij ndryshimi final dhe të pakthyeshëm, depërtoi brenda meje shpirti i perversitetit. Filozofia nuk e merr parasysh këtë shpirt. Unë nuk jam i sigurt as për shpirtin tim nëse jeton, sa jam i sigurt për perversitetin që është një nga impulset më të hershme të zemrës njerëzore, një nga aftësitë apo ndjenjat e para të pandashme që i japin drejtimin karakterit të njeriut. Kush është ai që nuk e ka gjetur veten, me qindra herë, duke kryer një veprim të turpshëm apo qesharak, për asnjë arsye tjetër, por vetëm sepse e di që nuk duhet ta kryejë? A nuk kemi ne, pavarësisht gjykimit tonë më të mirë, një prirje të përjetshme për të shkelur ligjin, vetëm sepse e dimë që nuk duhet shkelur? Ky shpirt perversiteti, siç e thashë, u bë pjesë e ndryshimit tim final. Ishte pikërisht kjo dëshirë e padepërtueshme e shpirtit për të trazuar veten e tij, për të dhunuar vetveten, për të bërë keq vetëm për hir të së keqes, që më shtyu mua të shkaktoja plagosjen e kafshës së pafajshme.

Një mëngjes, me gjakftohtësi, lidha një lak rreth qafës së saj dhe e vara në degën e një peme; e vara me lotët që më rridhnin ndër sy dhe me keqardhjen më të thellë në zemër; e vara sepse e dija që më kishte dashur dhe nuk më kishte dhënë arsye për ta sulmuar; e vara sepse e dija që po bëja një mëkat, një mëkat të tmerrshëm që do ta vinte në rrezik shpirtin tim të pavdekshëm, deri aty, nëqoftëse një gjë e tillë do ishte e mundur, sa të mos siguroja mëshirën e pafundme të më të Mëshirshmit dhe më të Tmerrshmit Zot.

Mbrëmjen e asaj dite që kisha kryer veprimin e tmerrshëm, u zgjova nga gjumi nga zhurma e zjarrit. Mbulesat e krevatit ishin përfshirë nga flakët. E gjithë shtëpia po digjej. Me shumë vështirësi, unë, gruaja dhe një shërbyese arritëm të largoheshim nga zjarri i madh. Shkatërrimi ishte i plotë. E gjithë pasuria ime u gllabërua nga flakët dhe që nga ai moment e humba çdo shpresë.

Po mundohem tani të ndërtoj një lidhje shkak-pasojë mes shkatërrimit të ndodhur dhe mizorisë që kisha kryer. Do jap në mënyrë të hollësishme disa fakte dhe shpresoj të mos lë asnjë hallkë të paplotë. Të nesërmen, pas zjarrit, shkova të shihja gërmadhat e shtëpisë. Të gjithë muret ishin rrëzuar, përveç njërit. Ky ishte një mur ndarës, jo shumë i hollë, që ndodhej në mes të shtëpisë dhe përballë të cilit gjendej koka e krevatit tim. Suvatimi, në masë të madhe, i kishte shpëtuar veprimit të zjarrit dhe këtë unë e lidha me faktin se e kishin bërë tani së fundmi. Përreth këtij muri ishte mbledhur një turmë e madhe njerëzish dhe shumë prej tyre po kontrollonin me vëmendje të madhe një pjesë të veçantë të tij. Fjalët “e çuditshme”, “e veçantë” dhe shprehje të tjera të ngjashme me këto ngacmuan kureshtjen time. U afrova dhe pashë, si të gdhendur në një basoreliev, mbi sipërfaqen e bardhë, imazhin e një maceje gjigande. Imazhi ishte i qartë dhe çuditërisht i vërtetë. Përreth qafës së kafshës ishte lidhur një litar.

Kur e pashë fillimisht këtë imazh, edhe pse nuk doja, habia dhe frika ime ishin shumë të mëdha. Por më vonë, të arsyetuarit me kujdes më erdhi në ndihmë. Macen, me sa kujtoja, e kisha varur në një kopsht afër shtëpisë. Pas alarmit të zjarrit, kopshti ishte mbushur menjëherë me njerëz dhe ndonjë prej tyre do ta ketë marrë macen dhe do ta ketë hedhur, përmes dritares së hapur, në dhomën time. Këtë me siguri e kanë bërë me qëllimin për të më zgjuar nga gjumi. Rrëzimi i mureve të tjerë e kishte zëne viktimën e mizorisë sime, brenda suvasë së sapovënë, gëlqerja e të cilës, së bashku me flakët dhe amoniakun e skeletit e kishin ravijëzuar portretin siç ma zunë sytë.

Përveç se unë tani duhet t’i jepja shpjegime arsyes dhe ndërgjegjes sime për faktin befasues që ju paraqita më sipër, ai la një përshtypje jo të vogël në imagjinatën time. Për muaj të tërë nuk arrita të çlirohesha nga fantazma e maces dhe gjatë kësaj periudhe, në shpirtin tim u gjallërua një gjysmë ndjenjë, që dukej si pendim, por që në të vërtetë nuk ishte e tillë. Arrita deri aty sa të më vinte keq për humbjen e maces dhe teksa ndodhesha nëpër pijetoret e ndyra që frekuentoja, kërkoja për ndonjë kafshë tjetër, të të njëjtit lloj dhe me një paraqitje paksa të ngjashme, që mund të zinte vendin e saj.

Një mbrëmje, teksa isha ulur, gjysmë i topitur, në një bujtinë të ndotur, vëmendjen ma tërhoqi një objekt i zi, që po çlodhej mbi një fuçi të mbushur me xhin apo rum, që përbënte pajisjen kryesore në atë ngrehinë. Unë kisha kohë që po e vështroja atë fuçi, por ajo që më habiti ishte fakti që, atë objekt mbi të, nuk e kisha vënë re më parë. U afrova dhe e preka me dorë. Ishte një mace e zezë, shumë e madhe, po aq e madhe sa Pluto, dhe i ngjante atij në gjithçka, përveç një detaji. Pluto nuk kishte qime të bardha në asnjë pjesë të trupit, ndërsa kjo mace kishte një njollë të madhe të bardhë, edhe pse të paqartë, që i mbulonte gjithë pjesën e kraharorit.

Pas prekjes sime, ajo u ngrit menjëherë, lëshoi një gërhimë të fortë, u fërkua pas dorës dhe sikur u gëzua pa masë nga prania ime. Kjo ishte krijesa që kisha kërkuar. Unë kërkova menjëherë t’ia bleja pronarit. Por ai nuk kërkoi asgjë, nuk e njihte, nuk e kishte parë më parë atë mace.
Unë vazhdoja ta përkëdhelja dhe kur po përgatitesha të kthehesha në shtëpi, macja shfaqi dëshirën të më shoqëronte. E lejova ta bëntë një gjë të tillë, duke u përkulur dhe përkëdhelur siç kisha bërë më parë. Kur erdhi në shtëpi ajo u ambjentua menjëherë me të dhe u bë edhe e preferuara e gruas time.

Ndërsa unë ndjeja një shqetësim ndaj së keqes që po rritej brenda meje. Kjo ishte e kundërta e asaj që kisha parashikuar, por, nuk e di pse dhe si, dhembshuria e krijesës ndaj meje vetëm më ngjallte neveri dhe më mërziste. Dalë-ngadalë, këto ndjenja neverie dhe mërzie u shndërruan në urrejtje. Unë e shmangia macen; një ndenjë turpi dhe kujtimi i veprimit të mëparshëm mizor, më pengonin që të abuzoja fizikisht me të. Për javë të tëra unë nuk e godita dhe nuk e keqtrajtova, por gradualisht, shumë gradualisht, arrita deri aty sa ta shihja me një neveri të pashpjegueshme dhe të largohesha nga prania e saj si nga afshi i murtajës. Ajo që shtoi urrejtjen time ishte zbulimi, të nesërmen, se edhe ajo, si Pluto, nuk e kishte një sy. Ky detaj kishte bërë që gruaja ime, e cila dallohej për shkallën e lartë të humanizmit të ndjenjave, që dikur kishte qenë edhe tipari im më i shquar dhe burimi i kënaqësive më të thjeshta dhe të pastra, të lidhej edhe më shumë pas saj.

Pavarësisht mospëlqimit tim, përkushtimi i maces ndaj meje rritej, dukej që po rritej. Ajo më ndiqte nga pas me një këmbëngulje që lexuesi e ka të vështirë ta kuptojë. Çdo herë ajo shtrihej nën karrigen time ose më hidhej mbi gjunjë, duke më mbytur me përkëdheljet e saj të neveritshme. Nëqoftëse ngrihesha për të ecur, ajo më futej ndër këmbë dhe gati-gati më rrëzonte ose duke më mbërthyer me kthetrat e saj të gjata dhe të mprehta më ngjitej drejt kraharorit. Në këto çaste edhe pse doja shumë ta largoja tutje me ndonjë shuplakë, përmbahesha, pjesërisht për shkak të kujtimit të krimit të mëparshëm, por kryesisht, më lini t’ju a tregoj, nga frika e kafshës.

Kjo nuk ishte tamam një frikë që vinte si pasojë e një sëmundjeje fizike; jam ende në hall se si ta përcaktoj ndryshe atë lloj frike. Më vjen turp nga vetja, po, edhe për këtë aspekt kriminal më vjen aq turp nga vetja, që terrori dhe tmerri që kafsha më përcillte, ishin rritur nga një prej përbindshave më të thjeshtë që mund të imagjinohet. Gruaja ime, ma kishte tërhequr vëmendjen më shumë se një herë mbi veçantinë e njollës së bardhë, për të cilën unë ju fola dhe më sipër, dhe që përbënte ndryshimin e dallueshëm mes kafshës së çuditshme dhe asaj që unë e kisha vrarë dikur. Lexuesit do t’i kujtohet, që kjo shenjë, edhe pse e madhe, ishte e paqartë, por dalë-ngadalë, në një mënyrë të pakuptueshme dhe që arsyeja ime kërkonte ta konsideronte si imagjinare, ajo filloi të konturohej në një mënyrë qartësisht të dallueshme. Ajo përfaqësonte tashmë një objekt që mua më rrënqethet mishi po ta përmend; nga ai më shumë se çdo gjë tjetër unë frikësohesha, tmerrohesha dhe isha gati ta zhdukja egërsirën që kisha guxuar të merrja; tani ajo shjenjë ishte imazhi i një trekëndëshi të neveritshëm, të kobshëm, ku varen njerëzit; oh, nxitës i tmerrshëm dhe fatkeq i tmerrit dhe krimit, i Agonisë dhe Vdekjes.

Dhe tani unë isha me të vërtetë i mjeruar përtej mjerimit të Njerëzimit të thjeshtë. Dhe një shtazë e egër, të ngjashmin e të cilës unë më parë e kisha zhdukur me moskokëçarje; një shtazë e egër që vuante për mua, një burrë i apasionuar pas imazhit të Zotit – një mjerim i padurueshëm! Unë nuk e njihja më kënaqësinë e të çlodhurit as gjatë ditës dhe as gjatë mbrëmjes. Më parë kafsha nuk më linte asnjë moment vetëm. Dhe së fundmi unë fillova të ndjeja çdo orë, edhe prej ëndrrave të një frike të pashpjegueshme, frymëmarrjen e ngrohtë dhe peshën e saj të madhe në fytyrën time – mishërim i një makthi që unë nuk kisha fuqi ta largoja – i ngujuar përgjithmonë në zemrën time.

Nën presionin e përndjekjeve të tilla, edhe grimcat më të vogla të mirësisë që kishin mbetur brenda meje, u zhdukën. Mendimet e këqija, mendimet më të errëta dhe më të liga, u bënë miqtë e mi të vetëm. Ashpërsia e temperamentit tim u kthye në urrejtje ndaj çdo gjëje dhe ndaj çdo njeriu. E ndërsa unë e kisha braktisur veten verbërisht në shpërthimet e shpeshta, të papritura dhe të pakontrolluara të tërbimit tim, gruaja ime ishte vuajtësja më e thjeshtë dhe më e duruar.

Një ditë ajo më shoqëroi për disa punë shtëpiake në bodrumin e ndërtesës së vjetër, në të cilën, mjerimi na kishte detyruar të jetonim. Macja më ndoqi poshtë shkallëve të pjerrëta dhe, gati-gati duke më rrëzuar me kokë, më nxehu shumë. Duke ngritur një sëpatë dhe, duke harruar në zemëratën time frikën që kisha patur deri në ato momente, bëra gati një goditje, që do të kishte qenë fatale nëse do ta kishte kapur kafshën siç dëshiroja unë. Por dora e gruas më pengoi ta qëlloja. I xhindosur nga kjo ndërhyrje e gruas, në tërbimin tim demoniak, e tërhoqa krahun që më kishte shtrënguar dhe e ngula sëpatën në kokën e saj. Ajo ra e vdekur në vend, pa lëshuar asnjë ofshamë.

Pas kryerjes së kësaj vrasje të tmerrshme unë u angazhova, me kujdesin më të madh, në detyrën e zhdukjes së trupit. E dija që nuk mund ta nxirrja nga shtëpia as ditën dhe as natën, sepse rrezikoja të vëzhgohesha nga fqinjët. Shumë mendime ma kishin pushtuar mendjen. Një moment mendova ta prisja trupin në copa të vogla dhe më pas ta digjja në zjarr. Në një moment tjetër mendova të gërrmoja një varr në dyshemenë e bodrumit. Pastaj mendova ta hidhja në pusin që ndodhej në oborr apo ta paketoja në një kuti, dhe, sikur do ta shisja, të njoftoja portierin që ta nxirrte nga shtëpia. Në fund zgjodha mënyrën që e konsideroja më të përshtatshme se të tjerat. Vendosa ta varrosja në bodrum, ashtu si murgjit e mesjetës mendohet t’i kenë varrosur viktimat e tyre.

Për një qëllim të tillë bodrumi ishte shumë i përshtatshëm. Muret e tij ishin konstruktuar së fundmi dhe ishin suvatuar me llaç të ashpër, i cili nuk ishte ngurtësuar për shkak të lagështirës së atmosferës. Për më tepër, në një nga muret kishte një dalje, të hapur për një oxhak artificial, që ishte mbyllur për t’i ngjarë pjesës tjetër të bodrumit. Nuk kisha asnjë dyshim që unë mund t’i zhvendosja tullat në këtë pjesë, të fusja trupin, dhe ta ndërtoja gjithçka si më parë, në mënyrë që askush të mos nuhaste ndonjë gjë të dyshimtë.

Dhe në këtë përllogaritje, nuk kisha gabuar aspak. Me ndihmën e një leve, zhvendosa me lehtësi tullat dhe, pasi e futa trupin në murin e brendshëm, e vura në pozicionin e duhur dhe me pak vështirësi e ringrita strukturën siç kishte qenë në fillim. Pasi kisha siguruar gëlqere, rërë dhe lesh, me të gjithë përkujdesjen e mundshme, përgatita llaçin që nuk duhej të dallohej nga i vjetri dhe paskëtaj fillova punën me tullat. Kur mbarova u ndjeva i lehtësuar. Muri nuk kishte as shenjën më të vogël që ishte prekur. I mblodha mbeturinat mbi dysheme me kujdes. Pashë rreth e rrotull në mënyrë triumfuese dhe i thashe vetes: “Të paktën në këtë rast puna jote nuk shkoi kot”.

Hapi i rradhës ishte të kërkoja egërsirën që kishte qenë shkaku i gjithë këtij mjerimi. E kisha vendosur plotësisht që do ta vrisja. Nëqoftëse do ta kisha ndeshur në atë moment, nuk do të kisha patur asnjë dyshim për fatin e saj, por kafsha dinake ishte alarmuar nga dhuna gjatë zemërimit tim dhe e kishte shmangur të më afrohej në ato momente. Është e pamundur të shpjegosh ndjenjën e thellë, të hareshme, të çlirimit që ndjeva në kraharor, nga mungesa e kafshës së urryer. Ajo nuk u shfaq gjatë natës dhe, të paktën për një natë qysh nga ardhja e saj në shtëpi, fjeta i qetë, edhe pse me peshën e krimit të kryer në shpirt.

Kaloi edhe dita e tretë dhe e katërt dhe persekutuesi im nuk po shfaqej. Sërish po merrja frymë lirisht. Përbindshi ishte larguar njëherë e përgjithmonë nga ndërtesa. Nuk do ta shikoja më! Lumturia ime ishte shumë e madhe. Përgjegjësia për krimin e errët që kisha kryer nuk më shqetësonte shumë.
Ishin bërë disa hetime dhe unë isha përgjigjur me gatishmëri. Ishte bërë edhe një kërkim, por, sigurisht, asgjë nuk ishte zbuluar. Unë e konsideroja të sigurt lumturinë e të ardhmes time.

Në ditën e katërt pas vrasjes, një skuadër nga policia erdhi krejt papritur në shtëpi dhe proçedoi duke bërë një kërkim rigoroz në të gjithë godinën. I sigurt për padepërtueshmërinë e vendit ku kisha kryer fshehjen, unë nuk u vura në siklet në asnjë moment. Policët më ftuan që t’i shoqëroja në kërkimet e tyre. Asnjë cep i shtëpisë nuk mbeti i pakontrolluar. Për herë të tretë apo të katërt, ata zbritën sërsh në bodrum. Mua nuk më lëvizte asnjë muskul. Zemra më rrihte ngadalë, si zemra e atij që është i sigurt për pafajësinë e tij. Unë i rashë bodrumit rreth e përqark. I mblodha krahët afër kraharorit dhe fillova të lëviz nga një vend në tjetrin. Policët mbetën plotësisht të kënaqur dhe po përgatiteshin për t’u larguar. Gazi në zemrën time ishte shumë i madh për t’u frenuar. Nuk po më durohej të thoja qoftë edhe vetëm një fjalë, si triumfues, për ta bërë dyfish të sigurt bindjen e tyre në pafajësinë time.

“Të nderuar zotërinj”, – thashë në fund, ndërsa po ngjisnin shkallët, – “jam i lumtur që i zbuta dyshimet tuaja. Ju uroj shëndet dhe pak më shumë mirësjellje. Zotërinj, kjo është një shtëpi e ndërtuar mirë”. (Me dëshirën e papërmbajtur për të thënë diçka, nuk po e kuptoja çfarë po shqiptoja). “Do të thoja, një shtëpi e ndërtuar mrekullisht mirë. Këto mure… po largoheni zotërinj? Këto mure janë të lidhura fort me njëri-tjetrin”. – Dhe në këtë moment, me atë ndenjën e shfrenuar të mburrjes, godita fort, me një thupër që po mbaja në dorë, atë pjesë të murit, prapa të cilës ishte vendosur trupi i gruas sime.

Ah, sikur Zoti të më kishte ruajtur dhe shpëtuar nga helmi i Djallit! Kur jehona e goditjes sime u mbyt në heshtje, një zë mu përgjigj nga varri! Nga një e qarë, fillimisht e mbytur dhe e dërrmuar, si ngashërima e një fëmije, ajo u shndërrua në një britmë të gjatë, të fortë dhe të vazhdueshme, anormale dhe çnjerëzore, një ulërimë, një britmë vajtuese, gjysmë e tmerrshme dhe gjysëm triumfuese, si të vinte nga ferri, si e kombinuar nga fyti i të dënuarve në vuajtjen e tyre dhe e djajve që i ekzaltohen këtij dënimi.

Për mendimet e mia është e kotë të flas. Gati duke më rënë të fikët, u mbështeta në murin përballë. Për një moment grupi i policëve mbi shkallë mbeti pa lëvizur, nga frika dhe tmerri i madh. Pas pak dy duar të gjalla u kacavirrën në mur. U duk një trup. Ky i fundit ra krejtësisht. Trupi, në pjesën më të madhe i dekompozuar dhe i mbuluar nga gjaku i mpiksur, shtrihej tashmë para syve të dëshmitarëve. Mbi kokën e tij, me gojën e kuqe të hapur dhe sytë e zjarrtë vetmitarë, qëndronte e ulur kafsha e neveritshme, prania e të cilës më kishte shtyrë të vrisja dhe zëri kallëzues i së cilës po më dorëzonte tek xhelatët. E kisha murosur përbindshin në varr!

ShqipëroiShefki Hysa